TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme nis hetimin pasuror ndaj ish-ministrit të Financave Ridvan Bode aktualisht deputet i Partisë Demokratike.
Zyra e shtypit pranë prokurorit të Përgjithshëm shprehet përmes një njoftimi zyrtar se ka regjistruar procedim penal për Ridvan Boden, në bazë të kallëzimit të ILDKP për veprën penale “fshehje, mosdeklarim dhe deklarim të rremë të pasurisë”.

Organi i akuzës  sqaron se është e nevojshme kryerja e veprimeve hetimore për të vërtetuar nëse ekzistojnë element të veprës penale për të cilën Bode është kallëzuar.

Më 7 prill Inspektorati i Deklarimit të Pasurive bëri publik kallëzimin ndaj ish-ministrit, teksa sipas ILDKP Bode dhe pse ishte njoftuar kish refuzuar disa herë të bënte deklarimin për të justifikuar burimin e pasurisë.

Burime për A1Report nga ILDKP thanë se në kallëzimin e depozituar bëhet fjalë për një pasuri në vlerën e 500 mijë eurove të cilës Bode nuk i justifikon burimin.

Bode i përgjigjet ILDKP-së po në prokurori, e akuzon për mashtrim
Pas kallëzimit penal në Prokurori që ish-Ministri i Financave Ridvan Bode iu bë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive këtë herë ka qenë ish- ministri i cili ka bërë një kallëzim penal në prokurori ndaj ILDKP-së. Ai e akuzon këtë institucion për mashtrim pasi sipas tij akuzat e ngritura ndaj tij janë plotësisht të pa vërteta dhe se ILDKP po mashtron me ato që thotë. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)