Në një lëvizje të konsideruar të jashtëzakonshme, Spanja do të ofrojë status ligjor për emigrantët pa dokumenta, një vendim që prek rreth gjysëm milionë njerëz, të cilët duhet të kenë qenë në Spanjë para datës 31 dhjetor të 2025-ës, të mos kenë precedentë penale dhe të provojnë se kanë qëndruar në Spanjë për një periudhë të pandërprerë pesë mujore. 

Lajmin e bëri të ditur eurodeputetja dhe sekretarja e partisë së majtë radikale Podemos, Irene Montero dhe e konfirmoi zëdhënësja e qeverisë Elma Saiz.

Ajo konfirmoi se ky projekt do t’i japë një hov të ri ekonomisë së vendit duke lejuar emigrantët të ‘punojnë në çdo sektor, kudo në vend”.

Me afro 50 milionë banorë, Spanja është ekonomia e madhe me rritjen më të shpejtë në Europë. Sipas Bankës Qendrore, Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të rritet me 2.2% në vitin 2026, krahasuar me 1.2% për zonën e euros. Lajmi erdhi në të njëjtën ditë kur statistikat tregojnë se për herë të parë që nga viti 2008, shkalla e papunësisë është nën 10%, me 605.400 punëtorë të rinj të shtuar. 

Që nga pandemia, numri i punëtorëve të huaj të regjistruar në sistemin e sigurimeve shoqërore është rritur me 45%, sipas të dhënave qeveritare, duke përbërë rreth 14% të totalit të të punësuarve.

Megjithatë, qindra mijëra persona vijojnë të punojnë në Spanjë pa status të rregullt ligjor.

Vendimi mbështetet edhe nga aleati i qeverisë Sumar dhe nga e majta në përgjithësi. Duke qenë se bëhet fjalë për një dekret mbretëror dhe jo për reformë të mirëfilltë, vendimi do të miratohet sot në Këshillin e Ministrave dhe nuk kërkon kalimin në Kongres ku vështirë se do të merrte shumicën.

Emigrantët që duan të përfitojnë nga ky deekret, duhet të aplikojnë deri me 30 qershor. Ata duhet të kenë dokumenta të ndryshëm regjistrimi në gjendjen civile komunale, vërtetime takimesh mjekësore, certifikata për përfitime sociale ose kontrata qiraje, prova të dërgesave të parave familjeve në vendet e origjinës, abone transporti e ccdo document që provon se kanë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj para 31 dhjetorit 2025 dhe se nuk kanë precedentë penalë.

Me paraqitjen e kërkesës, pezullohen procedurat e riatdhesimit ose urdhrat e dëbimit për arsye administrative ose për punë pa leje. Nëse kërkesa pranohet, jepet një leje e përkohshme qëndrimi, e cila lejon punën e ligjshme dhe aksesin në të drejta themelore si kujdesi shëndetësor. Nëse vendimi përfundimtar është pozitiv, lëshohet një leje qëndrimi për një vit, në fund të së cilës mund të kërkohet një leje e zakonshme sipas ligjit të emigracionit.

Ndërsa shumë vende kanë shtrënguar hyrjet dhe kanë rritur dëbimet, Spanja nën drejtimin e kryeministrit Pedro Sanches ka zgjedhur një qasje më të hapur, edhe për të përballuar plakjen e shpejtë të popullsisë.

“Po e them qartë: askush nuk është i tepërt në Spanjë. Përkundrazi, na mungojnë njerëzit,” deklaroi Sánchez më herët këtë muaj. “Mes zgjedhjes për të qenë një vend i mbyllur dhe i varfër, Spanja po hapet ndaj botës për të siguruar begati” tha ai.

Sipas një studimi të Funcas, në kohën kur Sanchez ka qenë në pushtet, numri i emigrantëve të paligjshëm në Spanjë u rrit me 700% nga viti 2017 në vitin 2025, duke arritur në 840.000.

I gjithë procesi për rregullimin me ligj të emigrantëve ka nisur që në vitin 2021 me një lëvizje popullore të mbështetur nga e majta dhe OJQ-të që arritën të mblidhnin mbi 700 mijë firma.

Për opozitën e Partisë Popullore, masa për emigracionin është një mënyrë për të larguar vëmendjen nga tragjedia e Adamuzit dhe nga aksidenti në Barcelonë. “Të paktën 46 të vdekur, qindra të plagosur, asnjë dorëheqje dhe përgjigjja e parë e Sanchez është një rregullim masiv për të zhvendosur vëmendjen”, komentoi lideri Alberto Núñez Feijóo. “500 mijë emigrantë të paligjshëm, tirani Sánchez e urren popullin spanjoll dhe dëshiron ta zëvendësojë atë”, deklaroi Santiago Abascal, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vox, i cili ka njoftuar se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme kundër dekretit.

Rregulli i fundit fundit për emigrantët pa dokumente në Spanjë ishte vendosur nga qeveria Zapatero në vitin 2005./LaRepubblica