6-mujori 2017, rritet konsumi i
energjisë me 7.8%

6-mujori 2017, rritet konsumi i<br />energjisë me 7.8%
Rritet konsumi i energjisë, në një kohë kur prodhimi vendas ka rënë me gati 26 për qind; humbjet në rrjet janë ulur, por importi u rrit gati 40 për qind. Janë këto disa nga konkluzionet kryesore të raportimit nga INSTAT të statistikave lidhur me gjashtëmujorin e parë të këtij viti në sektorin e energjisë elektrike.

Nga suficit vitin e kaluar, prodhimi i energjisë elektrike në raport me konsumin ka pësuar një deficit të fortë në gjashtëmujorin e parë të 2017-ës. Sipas të dhënave të INSTAT për bilancin e energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë, prodhimi i energjisë elektrike në totale nga HEC-et publikë dhe ato private ka pësuar një rënie vjetore me 25.9 për qind, teksa konsumi është rritur me 8 për qind si pasojë e rikthimit në punë të kompanive të mëdha të industrisë ARMO dhe Kurum.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë ka qenë 3.01 miliardë kilovatorë, nga 4.07 milardë energji të prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Me rënie të prodhimit të energjisë elektrike, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë, si hidrocentralet publike (-26.9 për qind), ashtu dhe hidrocentralet private e koncensionare (-23.8 për qind).

Rënia e prodhimit të energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 ka ndikuar në rritjen e importeve dhe rënien e eksporteve të energjisë elektrike. Importet bruto (energji në marrje) u rritën me 39.2 për qind, ndërsa sasia e eksporteve bruto (energji në dhënie) u ul me 72 për qind.

Hidrocentralet publike kanë realizuar 67.4 për qind të prodhimit të energjisë elektrike, nga 68.4 për qind që realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Përqindja që zënë hidrocentralet private dhe koncensionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është tani 32.6 për qind, nga 31.7 për qind që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 humbjet në rrjet kanë rënë me 1.6 për qind.

Ndikim në këtë rënie kanë patur uljet e humbjeve teknike në shpërndarje, të cilat përbëjnë 61.7 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet, si edhe rënia e humbjeve dhe konsumit vetjak në transmetim që përbën 8 për qind të humbjeve gjithsej.

Në këtë periudhë, humbjet në rrjet janë 1.02 miliardë kilovatorë, nga 1.04 miliardë që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Humbjet në shpërndarje janë rritur me 0.8 për qind. Kurse humbjet në transmetim, ndryshe nga gjashtëmujorët e viteve të kaluara, këtë gjashtëmujor kanë rezultuar me rënie. Ato ranë me 23.1 për qind.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u rrit me 7.8 për qind, duke arritur vlerën 2.71 miliardë kilovatorë, nga 2.52 miliardë kilovatorë që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, e kanë dhënë konsumatorët jofamiljarë, të cilët kontribuuan me 7 pikë përqindje.

bilanci energjise

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mjalti, biznesi i ëmbël që prodhon produkt të shtrenjtë

Mjalti, biznesi i ëmbël që prodhon produkt të shtrenjtë