2800 tonët e mbetjeve të rrezikshme të Kurumit, të cilat u rikthyen në Shqipëri pas një alarmi ndërkombëtar, rezultojnë të mos jenë të vetmet ngarkesa të detinuara për jashtë. Në të paktën tre raste të tjera, një total prej gati 1300 tonësh të tjerë, është arritur të dalë jashtë vendit nga shoqëria Sokolaj, e Gjovana Sokolajt. Hetimi ka zbuluar se përmes kompanisë tjetër kroate GS Minerals d.o.0, të kontrolluar po nga Gjovana, janë firmosur me EMS Albanian Port Operator, 4 kontrata qiraje për depozitim të oksidit të zinkut në terminalin Lindor të Portit të Durrësit e që shtrihen në periudhën shtator 2022 deri në shtator të 2024.
Po ashtu, të dhënat hetimore zbulojnë se në kërkesat e refuzuara për autorizim eksporti, kompania Sokolaj, flet për marrëveshje për tërheqjen nga kombinati metalurgjik të të paktën 25 mijë tonë mbetje me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme), te cilat deklarohen se në vitin 2023 gjendeshin stok.
Ndërsa është vërtetuar dhe nga faturat doganore se eksportet nga Sokolaj arrijnë të paktën 4100 ton, mbetet e paqartë se çfarë është bërë me pjesën tjetër të malit të mbetjeve të Kurumit.
Historia e kompanisë Sokolaj dhe lidhjet me Kurumin
Kompania Sokolaj që në lindje të saj, në vitin 2006, ka një emër që shfaqet gjatë gjithë kohës herë si ortake e herë si pronare, herë si administrator, atë të Gjovana Sokolajt. Përveç saj, emri i dytë është ai i Oliziana Pematit, e cila hyn e del në librat e kompanisë si administrator e saj. Partneri i Gjovanës, Doni Sokolaj është fillimisht ortak me 50 përqind, pastaj ia shet kuotat një shtetasi turk, Serdar Can Hakliol, i cili i mban ato për më pak se një vit nga 29 prill 2013 deri në shkurt 2014, kur ja shet Gjovanës. Një vit më pas ka një tjeër lëvizje, ku Doni blen 49.5 përqind të aksioneve dhe pas dy muajsh ia rishet ato sërish partneres së tij.
Gjatë viteve kompania ka zgjeruar objektin e veprimtarisë së saj nga grumbullim e deri eksport mbetjesh industrial e jo të rrezikshme deri në grumbullim, transportim i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, si dhe duke regjistruar adresën, në qytete të ndryshme të vendit, Durrës, Shkodër, Elbasan.
Shoqëria “Sokolaj" sh.p.k. është pajisur me 2 leje nga Ministria e Mjedisit për: i) transport të mbetjeve të rrezikshme ii) eksport të mbetjeve jo të rrezikshme, por ajo nuk rezulton të ketë patur autorizim për eksportim të mbetjeve të rrezikshme dhe as nuk i është aprovuar një kërkesë e tillë për periudhën 2022-2024.
Sipas dosjes hetimore “shoqëria Sokolaj ka blerë nga Kurum artikullin Oksid Zinku, pa pasur leje të veçantë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, ndërkohë që për transportimin e këtyre mbetjeve të cilat klasifikohen me kodin 10 07 02* kërkohet autorizim i posaçëm për eksportin e mbetjeve”.
Ndonëse kërkesat për autorizim për eksport të mbetjeve të rrezikshme nuk i janë miratuar asnjëherë, shoqëria ka vijuar veprimtarinë e saj në kundërshtim me ligjet.
Në rastin e eksportit të mbetjeve të Kurum-it “rezulton se shtetasja Gjovana Sokolaj në agjencinë doganore ka deklaruar produktin si "oksid hekuri"ashtu si edhe është përcaktuar në kontratën me shoqërinë Kurum, ndërkohë që fatura e deklaruar në tatime është oksid zinku dhe në faturën e shitjes bërë shoqërisë GS Minerals d.o.0 me seli në Kroaci, i ka shtuar si element në kllapa kodin ZN pra “Okside hekuri (ZN)”.
Në rastin e dy kërkesave për autorizime eksporti, zbulohen dhe sasitë e mëdha të mbetjeve të rrezikshme të prodhuara nga Kurum e të marra përsipër për eksport nga shoqëria Sokolaj. Në vitin 2022 Sokolaj shprehet se bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a. angazhohet ti blejë mbetjet me kod 10 02 07*, me sasi vjetore 25.000 ton në vit, me vend origjine Kurum, Elbasan, dhe t’i transportojë përmes portit të Durrësit drejt Tajlandës.
Ndërsa në vitin 2023 angazhohet t'i blejë shoqërisë Kurum mbetjet me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme). Sasia vjetore e këtyre mbetjeve është 25000 ton/vit për vitin e parë pasi ka stok sasie. Sasia totale parashikohet 50.000 ton deri në 21.12.2029”.
Sipas dosjes hetimore “shoqëria Sokolaj dhe Kurum kanë pasur marrëdhënie bashkëpunimi të vazhdueshme për të eksportuar pikërisht këtë lloj mbetje të rrezikshme me kod me kod 10 02 07*. Mosdhënia e autorizimit nga Ministria e Mjedisit për të eksportuar këtë lloj mbetje, ka bërë që shoqëria Sokolaj dhe Kurum ta eksportojnë këtë mbetje në kundërshtm me ligjin, pa autorizimin përkatës duke fshehur natyrën e vërtetë të mbetjes në aktet shkresore, pavarësisht se nëpërmjet pasaktësive dhe mospërputhjeve mes tyre, konkludohet në mënyrë të arsyeshme se objekti i shitblerjes kanë qenë pikërisht mbetjet me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme).
Lajmi kryesor:
2800 tonë mbetjet e rrezikshme të ‘Kurum’, Prokuroria e Durrësit lëshon 33 masa sigurie, mes tyre 2 administratorët turq, zyrtarë të Doganës dhe Agjencisë së Mjedisit! Report Tv zbardh dosjen (EMRAT)







