Situatë gjithnjë e më e tensionuar në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. Policia hungareze ka bllokuar mbi 9 mijë refugjatë që tentuan të hyjnë në territorin e vendit, ndërsa sot 60 emigrantë janë arrestuar me hyrjen në fuqi të ligjit që parashikon deri në 3 vjet burg për këdo që hyn ilegalisht në Hungari. Ligji hyri në fuqi dje në mesnatë ndërsa përfundoi dhe muri rrethues me tela në 175 km vijë kufitare me Serbinë. Lajmi është konfirmuar nga UNHCR, ndërsa qeveria në Budapest tha se ky rrethim do të pengojë hyrjen e emigrantëve që duan të arrijnë BE-në përmes të ashtuquajturës rruga ballkanike. Sipas autoriteteve hungareze, që nga fillimi i vitit kanë hyrë në Hungari mbi 200 mijë azil-kërkues, pjesa më e madhe e tyre të ardhur nga Serbia.

​Hungaria forcon masat në kufi: Kalon kush bën kërkesë për azil në Serbi
Hungaria është përballur me një valë tjetër emigrantësh. Vetëm mbrëmjen e djeshme janë regjistruar 9380 emigrantë të ardhur nga Serbia, numri më i lartë i regjistruar deri më tani. Autoritetet hungareze bëjnë me dije se 16 prej tyre janë arrestuar në qytetin kufitar Rozke,pasi tentuan të futen ilegalisht .

Ndërkohë qindra prej tyre të cilët nuk arritën të kalonin gardhin e ngritur nga ushtria, e kaluan natën në qiell të hapur.

Ndërkohë disa shtetet europiane si Gjermania Austria dhe Holanda të gjendur nën kërcënimin e valës së refugjatëve vendosën përsëri kontrollet e rrepta në kufi.

Drejt Hungarisë tashmë janë të hapura vetëm 2 vendkalime zyrtare, ndërkohë që qeveria e Budapestit njoftoi se policia kufitare do të lejojë të kalojnë kufirin vetëm ata persona të cilët kanë aplikuar në Serbi për azil, pjesa tjetër do të kthehen mbrapa.

Ndërsa Europa po përpiqet të gjejë një zgjidhje për kuotat e shpërndarjes së 120 mijë emigrantëve , qeveria hungareze pritet që të shpallë të enjten gjendjen e jashtëzakonshme.
 
Redaksia Online
(g.sh/Shqiptarja.com)