Në Muzeun Historik Kombëtar u çel mbrëmë ekspozita “Universi", 60 vjet udhëtim i Skulptorit të Merituar Perikli Çuli. Autori i kësaj ekspozite është Laureat i Çmimit të Republikës në arte. Ekspozita prezanton shumë dekada krijimtarie, të mbushura me emocion dhe pasion të këtij artisti unik, ku kemi një univers të tërë për të zbuluar dhe rrugëtuar. Profesor Çuli, paraqet një sintezë shumë interesante të shprehjes së tij artistike. Punimet në mermer tregojnë në mënyrë bindëse se me çfarë përkushtimi e dashurie i ka impenjuar autori bindjet e tij estetike, për të dhënë emocione nëpërmjet kërkimeve skulpturore, që paraqesin interes të veçantë drejt një arti ku zotërohet fantazia, plastika, konsekuenca drejt formimit që është pjesë përbërëse e “unit artistik” të këtij individualiteti.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili tha: “ Te nderuar miq, kam kënaqësinë që ta filloj sezonin e ri të ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar me ekspozitën UNIVERS. Profesor Perikliu është një nga figurat më të shquara të skulpturës shqiptare dhe si një dashamirës i artit nuk mund të lë pa e përmendur këtë mjeshtër të artit shqiptar dhe skulpturat e tij, të cilat kanë mbushur sheshe të tëra përgjatë territorit tonë".
Pasi përshëndeti të pranishmit në sallë, falënderoi në veçanti Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në realizimin e kësaj ekspozite. Ky event artistik vjen si bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar./ Përgatiti Dhurata Hamzai