Një muze arti në Tiranë për skulpturat e Thanas Papës! Kompozimi i Skënderbeut, vepra që i dha medaljen e arit

Një muze arti në Tiranë për skulpturat e Thanas Papës! Kompozimi i Skënderbeut, vepra që i dha medaljen e arit

Kjo skulpturë është realizuar nga Thanas Papa në vitin 1957 dhe është vepra me të cilën artisti shqiptar mbrojti temën e diplomës, si i pari skulptor me medalje ari, në Akademinë e Arteve “Rjepin” atëherë në Leningrad, sot Shën Petersburg, Një kopje e saj ruhet në Muzeun rus të Akademisë së Arteve ku ai studioi, ndërsa një kopje e saj e dytë, e dërguar si dhuratë Shqipërisë në vitin 1957 nga Akademia “Rjepin” ruhet në Muzeun e Skulpturës në Tiranë, që mban emrin e Thanas Papës që prej vitit 2022.

“Është një vepër e mirëfilltë. Sepse në fushën e skulpturës, kompozimi ekuestër konsiderohet një nga kompozimet më të komplikuara. Ka raporte shumë të vështira për t’u kapur, kështu që arritja e një harmonie në këtë lloj kompozimi e bën shumë të vlefshëm dhe shumë të vështirë. Është një nga veprat më të veçanta që kemi në Muze dhe më e veçanta në këtë vend, por që nuk i është dhënë vëmendja e duhur.”, - thotë për "Report TV" i biri i artistit, skulptori, Besart Papa.

Ai rrëfen se historinë e veprës dhe peripecitë e artistit, që nga mosaprovimi i veprës me argumentin që ishte jashtë kapaciteteve të një studenti, por që në fakt rezultoi krejt e kundërta, duke i habitur të gjithë në momentin e prezantimit.

“Ishte rast që nuk kishte ndodhur. Dimensionet ishin shumë të mëdha. Ne këtu në muze ruajmë ekzemplarin e dytë të diplomës dhe për një student, që të ndërtonte një vepër të tillë ishte jashtë normales. Më pas u vlerësua me medalje arti. U riprodhua në dy ekzemplarë.”, - tregon Papa.

“Është një histori suksesi e jashtëzakonshme, por që më pas, për rrethana të ndryshme është eklipsuar në mënyrë të tmerrshme, për faktorë të ndryshëm, duke nisur nga shfaqjet e xhelozisë, që janë më banalet, e deri te faktorët politikë, në kuptimin që im atë ishte i përndjekur, për të vetmen arsye, se ishte martuar me një shtetase ruse në atë kohë dhe për këtë arsye ishte i survejuar për 30 vite me radhë nga Sigurimi i Shtetit”., - vijon ai.

I survejuar për shkak se kishte qenë i martuar me një ruse, Valentinën, me të cilën u detyrua të ndahej Papa u dërgua për shumë vite si punëtor në prodhim.

 “Gruaja e tij e parë u dëbua nga Shqipëria. Drama ishte se ishte familje e re. Dy vjet që kishin krijuar familjen e tyre dhe të ndash një fëmijë dy vjeç nga babai është dramë shumë e madhe. Megjithatë kjo ndodhi dhe nga rrëfimet e tim eti kanë qenë vite shumë të vështira për të.”

Pavarësisht situatës së vështirë ai nuk ndaloi punën e tij në skulpturë dhe në atë kohë realizoi buste të udhëheqësve të kohës, si: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, por edhe të huaj si Nikita Hurshovi. Ai gdhendi në mermer edhe një sërë figurash të njohura, si: Guri Madhi, Kostandin Kristoforidhi etj., punë, pjesa më e madhe e të cilave gjenden në këtë muze skulpture, të hapur në këtë formë në vitin 2022, i pari i këtij lloji në vendin tonë. Më herët, prej vitit 1958, ky mjedis kishte shërbyer si atelie pune e skulptorit.

“I gjithë ky proces transformimi ka ndodhur natyrshëm, pasi siç dihet tashmë kjo si godinë është studioja e parë e ndërtuar në Shqipëri me përcaktim nga Ministria e Kulturës dhe ish Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, për këtë student që ishte i veçantë, me merita dhe arritje të larta.”, - shpjegon Besart Papa.

Pjesë e Muzeut janë edhe një portret në bronz i së ëmës të Thanas Papës, i realizuar në vitin 1995, që sipas të birit është një ndër veprat më të arrira të të atit.

“Një situatë interesante rreth këtij portreti është e ndodhur në vitet ’95, kur im atë e paraqet në Galerinë e Arteve për ekspozitë vjetore dhe është shfaqur interes i lartë nga disa koleksionistë gjermanë, të cilët shfaqën dëshirë të madhe për ta blerë, sepse sipas tyre ky portret duhej shfaqur në Luvër. Në fakt nga ana artistike dhe e realizimit është e vërtetë. Është portret me ngarkesë të lartë emocionale dhe i realizuar shumë mirë, për faktorët dhe kohën kur është realizuar, pasi im atë në ato vite ishte diku te 60-at dhe ky dhjetëvjeçar konsiderohet si periudha me pjekurinë më të lartë artistike.”

Ndërkohë mes skulpturave të Thanas Papës ruhet edhe ky portret në bronz i artistit i realizuar prej djalit të tij, Besartit.

“Këtu kemi portretin e babait tim, të cilin ndihem me fat që e kam punuar kur ai ishte gjallë. Kam qenë vetëm 17 vjeç kur e kam punuar. Ai më rrinte model. Kam ndier një lloj sadisfaksioni në sytë e tij, por asnjëherë të thënë. Arrita ta realizoj dhe ta derdh në bronz dhe për mua është kënqësi dhe arritje e madhe.”

Në Muze ruhen 250 vepra të skulptorit Thanas Papa, pjesa më e madhe e të cilave kanë rëndësi të veçantë. Shumica e tyre kanë tematika dhe qëllime të caktuara dhe janë realizuar për ngjarje të ndryshme, data, heronj apo personalitete.

 

 

 

 

 

B.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Dy të rinjtë u larguan nga Komisariati më 31 dhjetor, AMP pezullon nga puna 3 efektivët! Nuk parandaluan arratisjen e tyre

Elbasan/ Dy të rinjtë u larguan nga Komisariati më 31 dhjetor, AMP pezullon nga puna 3 efektivët! Nuk parandaluan arratisjen e tyre