Gazetari i Shqiptarja.com Genc Kondi e cilëson të dyshimtë dhe jo transparent tenderin që ka zhvilluar ministria e Financave për konsulentin privat për menaxhimin e borxhit publik, që do u kushtojë shqiptarëve 630 mijë euro në vit.

Kondi shprehet se FMN është një konsulent i mirë dhe pa kosto dhe duket e çuditshme se përse qeveria shqiptare ka vendosur që paguajë këtë shumë të majme për këtë shërbim, ndërkohë që e ka falas.

Është pak e çuditshme por e shikoj në vazhdën e kalimit të sa më shumë funksioneve nga shteti te privati. Edhe ekspertët e kanë kundërshtuar, pasi shumë mirë këto funksione i kryen administrata fiskale.

Menaxhimin dhe borxhin publik e administron vetë Ministria. Borxhi publik u rrit, pastaj filloi të zbresë, qeveria i shtriu dorën FMN dhe në kohën kur pritej që marrëveshja të vijonte, nuk ndodhi. Duhet të shikojmë cili do të jetë subjekti që do e marrë për të parë se si do të jetë fati i këtij tenderi.

Ministria pranon që e ka të vështirë menaxhimin, por problemi qëndron që vetë administrata fiskale e ndjen nevojën për të pasur konsulentë. Unë shikoj që nuk ka pasur transparencë. Në 23 nëntor duhet të ishte shpallur fituesi, por ne nuk kemi dijeni se cili ka qenë subjekti që ka kaluar fazën e kualifikimit.

Jam dakord që disa gjëra janë mirë të bëhen me PPP, por BB dhe FMN e kanë kritikuar rendjen pas këtyre, pasi nuk mund të zgjidhet gjithçka vetëm kështu.  Unë jam i mendimit që FMN është e domosdoshme.

Qeveritë, edhe e djathta më parë edhe kjo tani e kanë vështirë ta pranojnë rolin e FMN, pasi vërtetë të jep kredi, por ka kontrolle dhe është shumë e rreptë. FMN është tërhequr, shikon dhe jep mendime.

Mendoj që funksionet që janë tradicionale le ti ushtrojnë tatimet dhe doganat. Erdhi konsulenca doganore dhe dështoi. Jemi dyshues nëse mund të arrihet edhe me këto konsulenca.

Opozita do të ngrejë zërin për korrupsion, do të shikojë se kush fshihet pas tyre. Kostoja është 630 mijë euro. Ne do të shikojmë ditën e enjte nëse nuk shpallet emri do ta kërkojmë zyrtarisht më pas do të shikojmë se kush është pas kësaj, nëse është një kompani e njohur apo kemi të bëjmë me kompani që fshihen në parajsa fiskale. FMN është një konsulent i mirë dhe pa kosto” deklaroi ai. 

dy.b/shqiptarja.com