64-vjeçari shqiptar, Mark Preçi, i cili akuzohet se u përpoq të përdhunonte një vajzë me aftësi të kufizuara në Athinë pritet të dalë sot para autoriteteve në Greqi për tu përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tij. 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 21 shkurt dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Ajo ka ndodhur në banesën ku jetonte vajza bashkë me motrën me të njëjtën shkallë aftësië të kufizuar prej 95% dhe me të ëmën. Banesa ishte një lloj apartamenti gjysmë bodrum ku ato jetonin që prej vitit 2016. 
 
Në dëshminë e saj për autoritetet, nëna ka treguar se e njihte të pandehurin prej vitesh, përmes të njohurve të përbashkët, por se nuk kishte marrëdhënie të afërta me të. Ajo pretendon se Preçi shkonte shpesh në banesën e tyre për tu sjellë ushqime.

“Që nga viti 2007, kam njohur nëpërmjet të njohurve të përbashkët një burrë shqiptar që e njoh si M.. Nuk rri me të, nuk mbaj marrëdhënie miqësore apo të tjera dhe në përgjithësi vetëm i thoshim "përshëndetje". Për rreth një vit e gjysmë, ai ka ardhur në shtëpinë time çdo ditë për të më sjellë ushqim që vjen nga Tempulli i Shenjtë i Shën Zonit, i cili ndodhet në lagjen time” tregoi ajo në dëshminë e saj. 

Ajo sqaron se ditën e ngjarjes, ishte larguar për rreth 20 minuta për të shkuar në farmacinë e lagjes, pasi njëra prej vajzave kishte thyer syzet. Kur u kthye në banesë, ajo hasi vështirësi për të hapur derën që ishte mbyllur nga brenda. Më pas  gruaja pretendon se e gjeti Preçin në dhomën e ndenjjes, në një situatë komprometuese me njërën prej vajzave.

“Erdha në shtëpi dhe pashë M.. me pantallonat ulur dhe të shtrirë sipër njërës prej vajzave të mia që bërtiste, e cila ishte shtrirë në divan. Fillova të bërtisja dhe pashë M.. me organet gjenitale të zbuluara. Në divanin përballë ishte vajza ime tjetër që po ngrinte nga të ftohtit. Shkova menjëherë tek ai duke bërtitur dhe M.. hyri në banjo. Në acarim e sipër e godita me tigan, pastaj rrëshqita dhe ai filloi të më godiste me shqelma në stomak, më mallkoi duke më thënë më hëngre paratë" dhe doli nga dera kryesore e apartamentit” shpjegon ajo. 

Autoritetet dyshojnë se i pandehuri mund të ketë pasur një çelës rezervë të ndërtesës. Rasti është nën hetim, ndërsa Preçi do të njihet  sot me masat ndaj tij e do të japë shpjegime për akuzën e rëndë.