Përfundim të një detyre, por jo të një rrugëtimi e ka cilësuar Elisa Spiropali shkarkimin e saj nga kabineti qeveritar, si ministre për Europën dhe Punët e Jashtme. Largimi i saj nga kryeministri Edi Rama i konsiderua si një surprizë dhe një lëvizje që nuk pritej, ndërsa në krahun opozitar po përflitet për një largim të saj pas përplasjeve me Belinda Ballukun.
Vetë Spiropali, duket se ka zgjedhur një mesazh lamtumire plot kode, por edhe falënderim për kryeministrin Edi Rama, i cili nga posti i Kryetares së Kuvendit i besoi drejtimin e Ministrisë së Jashtme."Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë", shkruan Spiropali në një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, ku sipas saj, në kujtesë nuk mbetet se çfarë posti ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës e qëndrimit.
Spiropali i ka shprehur mirënjohjen PS kryeministrit Edi Rama për besimin që i është dhënë ndër vite. Për të, përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi.
"Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja", shton Spiropali.
Pirro Vengu nga ana tjetër, zgjodhi të dalë në një aktivitet si ministër në detyrë, krah të ngarkuarës me punë të SHBA-ve, Nancy VanHorn, ku u shpreh i privilegjuar që ka drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes. Vëngu ndau dhe falënderime për mbështetjen dhe përkushtimin e dikasterit që ai mbuloi
Deklarata i plotë i Elisa Spiropalit
Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen.
Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd.
Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Europë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor.
Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.
I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.
Ne kemi ndërtuar së bashku një model që e ka zhvendosur Shqipërinë nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi me mediokritetin dhe duke zgjedhur përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta. Ky model nuk është i përsosur, por është i qartë në orientim dhe i vendosur në qëllim.
Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme. Institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin atyre frymë, ton dhe karakter. Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë, sepse dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje e dokumente, por me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin tënd përballë të tjerëve. Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik.
Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja.
Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave.
Forca e një projekti politik matet nga aftësia për të prodhuar modele që qëndrojnë edhe kur rrethanat ndryshojnë, sepse modelet nuk rrëzohen me dekrete, ato provohen me kohën.
Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi. Mesazhet tuaja më të shumta në largim, se në marrjen e detyrës, ma përforcojnë detyrimin dhe vendosmërinë për të dhënë më shumë. Sepse pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme.
Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë një ditë pas ndryshimeve surprizë të cilat i njoftoi në mbledhjen maratonë të grupit parlamentar socialist. Rama shkarkoi Belinda Ballukun nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi edhe Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e saj.
Shkarkimi i Ballukut u shoqërua dhe me të tjera ndryshime në kabinetin qeveritar. Vendin e saj si zv/kryeministre e mori Albana Koçiu ndërsa në krye të ministrisë së Brendshme do të jetë Besfort Lamallari. Ky i fundit ndërroi digaster vetëm 5 muaj pas emërimit si ministër i Drejtësisë që tashmë do të drejtohet nga Toni Gogu.
Ky i fundit u emërua këtë mandat ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ministri që tashmë i është besuar Eriona Ismailit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tashmë do të drejtohet nga Enea Karakaçi ndërsa Ferit Hoxha do të jetë ministër i Jashtëm.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë dorëzimit të sistemeve raketore JAVELIN në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr tha se ishte privilegj që të mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga ky post.
“Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të linim këtë shenjë sot së bashku me partnerët tanë. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, të porositur prej vitesh. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qartësie strategjike.
Investimi në mbrojtje nuk merr duartrokitje në fillim por është i rëndësishëm. Shqipëria nën orientimin e SHBA ka investuar në kohë paqeje me plan e disiplinë buxhetore. Është një bindje e krijuar në të gjithë këtë periudhë që kam pasur privilegjin ë udhëheq Ministrinë e Mbrojtjes se mbrojtja nuk është një luks. Shtetet serioze investojnë në kohën e duhur dhe jo kur është vonë”, tha Vengu.
Pirro Vengu, drejton ministrinë e Mbrojtjes që prej vitit 2023. Tashmë vendin e tij kryeministri Rama ia besoi Besfort Lamallarit, i cili në fillim të këtij mandati u emërua si ministër i Drejtësisë. Vengu dhe Spiropali ishin te vetmit nga kabineti, të cilët nuk morën drejtimin e një tjetër dikasteri.
Komente













Hajt rrofte Skenderbeu , u plotesu formacioni i Mjaft. Letrat per burg tani dhe direkt
PërgjigjuRama po behet pak e nga pak Autokrat. E hoqi dhe te fundit e levizjes Mjaft! Normal, po shkon ( dhe do) drejt rekordit te Putinit, qe s'leviz nga vendi se bullonat i jane ndryshkur. Nuk i dime prapaskenat, por te largosh Elisen nga trupi qeveritar, eshte nje lluks, se s'ka shume profesioniste ne politike. Besoj se ajo do vazhdoje rrugetimin e saj. Suksese.
PërgjigjuMos kujto se eshte e lehte. Ne momentin qe ke punuar ne dogane i bie qe ke probleme. Sepse te njohim o Elisa e 5 miljonshit
Përgjigju