/ATSH/.- Komisioni Vlerësues për Dëmet në Lagjen e Trimave në Kumanovë ka vlerësuar se nga përleshjet e armatosura dhe operacioni policor janë dëmtuar dhe shkatërruar 66 shtëpi dhe se mbi 121 familje kanë pësuar dëme të mëdha materiale.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Komisioni Vlerësues i përbërë nga qeveria dhe komuna e Kumanovës, informon agjencia e lajmeve maqedonase INA.
Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e fundit ka miratuar kompensimin e dëmeve 100 përqind në këtë lagje, duke premtuar ndërtimin e shtëpive dhe kompensimin tjetër. Në terren vazhdojnë të jenë edhe sot ekipet vlerësuese nga të gjitha institucionet shtetërore dhe në bashkëpunim me komunën e Kumanovës.
Paraprakisht të gjitha familjet do të marrin nga 1600 euro ndihmë fillestare për të kaluar periudhën e shkurtër deri në vlerësimin e dëmeve dhe një periudhë të caktuar, ndërsa atyre u është premtuar edhe pagesa e qirasë.