Një incident i pazakontë, me përplasje fizike dhe verbale ka ndodhur në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë, ku Presidenti Karol Nawrocki është përfshirë në një konfrontim me gjyqtarët e institucionit.
Mediat e huaja shkruajnë se pamjet e publikuara tregojnë presidentin Nawrocki duke tentuar të kalojë mes gjyqtarëve, ndërsa shtyn gjyqtaren Anna Korwin-Piotrowska për t’i hapur rrugë. Në video dëgjohet teksa ai i kërkon asaj të largohet, përpara se të hyjë në ambientet e gjykatës.
Në një tjetër regjistrim, pasi futet në ndërtesë, Presidenti dëgjohet duke iu drejtuar gjyqtarëve me deklaratën: “Ju nuk jeni gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”.
Përplasja vjen në një moment tensioni të lartë institucional, pas hyrjes në detyrë të gjyqtarëve të rinj të zgjedhur nga Parlamenti. Të premten, gjyqtarja Korëin-Piotrowska njoftoi pezullimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Śëięczkowski, duke marrë përkohësisht drejtimin e institucionit.
Presidenti Nawrocki, i mbështetur nga opozita e djathtë, kishte refuzuar më herët betimin e pesë nga tetë gjyqtarëve të rinj, të zgjedhur këtë vit nga parlamenti. Ky vendim ka thelluar përplasjen mes presidencës dhe institucioneve të tjera shtetërore lidhur me kontrollin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
https://t.co/sni7uvIVke
— Maciej Berek (@MaciejBerek) October 30, 2026
Pas largimit nga ndërtesa, Nawrocki e cilësoi situatën si një “marrje me forcë të një institucioni kushtetues”. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të zhvillojë konsultime urgjente me drejtuesit politikë, me synimin për të gjetur një zgjidhje për krizën.
Ndërkohë, godina e Gjykatës Kushtetuese vijon të jetë nën praninë e forcave speciale të policisë, ndërsa përreth saj janë mbledhur edhe protestues kundër qeverisë.
Përplasja e fundit shënon një tjetër përshkallëzim të konfliktit politik dhe institucional në Poloni, ku mosmarrëveshjet mes presidentit Karol Nawrocki dhe qeverisë së kryeministrit Donald Tusk vazhdojnë të thellojnë krizën rreth institucioneve të drejtësisë.









Komente
Komento