Në platformën “Fol me Kryeministrin” kanë mbërritur 68 raste që lidhen me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga këto, 34 raste kanë marrë adresim, ndërsa 34 të tjera janë ende në proces shqyrtimi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë me dije se një nga çështjet kryesore të ngritura nga qytetarët lidhet me detyrimet dhe gjobat e energjisë elektrike të vendosura gjatë viteve 2008-2013. Pas shqyrtimit të tyre nga një grup pune, është konstatuar se këto detyrime janë vendosur në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, ministria do të ndërmarrë nismën për hartimin e një ligji të posaçëm që parashikon faljen e tyre. Bëhet fjalë për rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike që preken nga kjo nismë.
"Një nga çështjet më të rëndësishme që është ngritur gjatë kësaj periudhe lidhet me disa detyrime dhe gjoba të vendosura për abonentët e energjisë elektrike gjatë periudhës 2008–2013. Unë kam ngritur menjëherë një grup pune për t'i vlerësuar këto detyrime. Kemi konstatuar që ato janë të padrejta dhe janë vendosur në mënyrë të gabuar ndaj këtyre klientëve. Dhe si rrjedhojë e këtyre ankesave, do marrim masa të menjëhershme ligjore që të iniciojmë një ligj të posaçëm për të falur këto detyrime.
Kemi të bëjmë me rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të periudhës 2008–2013, të cilat do të falen me miratimin e këtij ligji. Inkurajoj çdo qytetar që të vazhdojë të shkruajë tek platforma “Fol me Kryeministrin”, pasi unë besoj fuqimisht që nëpërmjet diskutimit dhe ngritjes së shqetësimeve kemi mundësi që të zgjidhim situatën, por edhe të marrim dijeni për çështje të caktuara që kanë shqetësim për qytetarët."- tha Karakaçi.











Komente
Komento