Për herë të parë “7 Ditët e Krijimit”, vepra që autori Met Dervishi e botoi në frëngjisht në 2024-ën, u ngjit në skenën shqiptare të Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Ishte regjisorja Driada Dervishi, vajza e autorit, që zgjodhi t’ua besojë vargjet shtatë zëra artistikë, si: Yllka Mujos, Luiza Xhuvanit, Neritan Liçajt, Mimoza Marjanakut e aktorëve të tjerë.

“Janë shtatë poema, shtatë ditët e krijimit të autorit dhe shkrimtarit Met Dervishi. Këtu flitet për tema të rëndësishme universale, duke nisur me kapitalizmin, kaosin që ekziston sot në botë, ndryshimet që mendohen, priten, ndodhin, ndoshta nuk kuptohen. Lidhja e shtatë ditëve të krijimit, Zanafilla, nis në një farë mënyre dhe i rri shumë mirë kjo skenografi. Në këtë konceptim janë shtatë aktorë dhe bashkëveprojnë breza të ndryshëm, që besoj  sjellin secili një qasje shumë ndryshe të gjithë vargjeve.”, tha regjisorja Driada Dervishi.

“Është një kënaqësi e veçantë për mua. Duhet dëgjuar me shumë vëmendje, sepse ka metafora dhe simbolika të fuqishme. Është një kënaqësi të hysh në labirintet e trurit të një poeti kaq kompleks.”, tha aktorja Yllka Mujo.

“7 ditët e krijimit” është një cikël poemash ku autori sjell përballë njeriun dhe shoqërinë e sotme, të tjetërsuar nga etja për fitim, pushtet e pasuri.

“Janë një mimetizim biblik i shtatë ditëve të krijimit në tentativat moderne të inxhinierimit social. Teknika që kanë çuar drejt dehumanizimit të qenies njerëzore, drejt shpërbërjes së traditës, drejt shkatërrimit të kombeve, drejt krijimit të oligarkive që sundojnë rreth 90% të pasurisë botërore. Kjo është skllavëria moderne, kjo është poezia ime.”, tha autori Met Dervishi.

Mbrëmja poetike takoi antikitetin e Durrësit me një histori mbi botën moderne.