Një ditë përpara rritjes së çmimeve të sigurimeve të makinave, 7 nga 8 kompanitë i kanë dërguar shkresa shoqërisë që administron sistemin e shitjeve, se të nesërmen do rrisin çmimet me 16.7%. Shkresat janë dërguar njëherazi nga kompanitë më 23 gusht, një ditë përpara se kompanitë të aplikonin çmimet e reja. 

Njoftimi i bashkërenduar i kompanive për rritjen e çmimeve është zbardhur nga hetimi i Autoriteti i Konkurrencës mbi këtë treg. Nga hetimi I Autoritetit vërehet se të gjitha shoqëritë e sigurimit kanë caktuar datën 24 gusht 2016, për aplikimin e çmimeve të ndryshuara.

Ato kanë njoftuar shoqërinë që menaxhon sistemin në rrugë shkresore më datë 23 Gusht 2016, me përjashtim të njërës prej kompanive, shkresa e të cilës mban datën 24 Gusht.

Në zbatim të kërkesave të mësipërme shoqëria që menaxhon sistemin e shitjes ka aplikuar çmimet e reja në të njëjtën kohë, për të gjitha shoqëritë e sigurimit, në datë 24 gusht, ora 00:00. Në muajin gusht kompanitë rritën në bllok çmimet e sigurimeve të mjeteve me rreth 20%. Minimalisht për të siguruar një makinë nën 1.600 kubikë, çmimi është 17, 800 lekë, ndërsa mbi 1.600 kubikë paguhet minimumi 19 200 lekë.

Më herët, rritja e çmimeve është konsideruar e pajustifikuar edhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, e cila ka gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra shoqëritë e sigurimit, ndërsa ato i rritën në mënyrë të bashkërenduar çmimet.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com