Një sipërfaqe prej rreth 7 mijë metrash katrorë tokë e konfiskuar në rrethinat e Tiranës pritet të vihet në dispozicion të organizatave që kujdesen për kafshët e braktisura, me synimin për krijimin dhe zgjerimin e strehëzave për katër putroshët.
Nisma është ndërmarrë nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), e cila synon t'i japë pronës një funksion social, duke e kthyer atë në një hapësirë në shërbim të organizatave që merren me mbrojtjen, trajtimin dhe sistemimin e qenve dhe maceve pa strehë.
Interesi për projektin wshtw i lartw. Deri më tani, një organizatë ka shprehur interes konkret për të përfituar nga kjo mundësi, ndërsa disa të tjera janë informuar mbi pronën, kushtet dhe mënyrën e zbatimit të nismës.
Projekti u prezantua edhe gjatë një vizite në një prej strehëzave të kafshëve në Tiranë, ku u diskutuan nevojat dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë organizatat dhe vullnetarët që kujdesen për kafshët e braktisura.
"Shumë shpejt, me mbështetjen e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, një hapësirë e re do të hapë dyert për më shumë kafshë në nevojë", thuhet në komunikimin për nismën.
Sipas AAPSK-së, kjo është një tjetër nismë për ripërdorimin e pasurive të konfiskuara në funksion të interesit publik. Agjencia pritet të vijojë komunikimin me organizatat e interesuara për të përcaktuar mënyrën konkrete të vënies në përdorim të pronës dhe zhvillimin e projektit.









Komente
Komento