VLORE - Shtatë persona, mes të cilëve edhe një punonjës i policisë për Kufirin dhe Migracionin, janë prangosur nga Drejtoria e Policisë së Vlorës nën akuzën e kontrabandës së naftës. Uniformat blu njoftojnë se pas një hetimi gjashtë mujor përmbyllën operacionin e koduar "Deti i Pastër" duke zbuluar kondrabandën e naftës së importuar me anije nga Greqia dhe Italia, kryer kryesisht nga anijet që përdoreshin për gjuetinë e peshkimit.

Kjo sasi nafte e importuar shitej në kundërshtim me procedurat doganore, dhe aktet e tjera normative në fuqi duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm monetar buxhetit të shtetit. Policia ka prangosur shtetasit: Muhamet Hunda, pronari i anijes “Maria Pija”; Trifon Lluçaj, me detyrë administrator i anijes ”Valbona”; Erion Bode dhe Armando Hoxha me detyrë punonjës ekuipazhi të anijes “Valbona”; Petrit Muharremi mekanik në anijen “Valbona” dhe Eduart Mehillaj, me profesion tregtar.

Gjithashtu, nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bahri Jahaj, me detyrë punonjës i Policisë për Kufirin dhe Migracion në Drejtorinë e Kufirit dhe migracionit Vlorë. Ai u arrestua për veprën penale “Kontrabandë me mallrat që paguhet akcizë” dhe Shpërdorimi i detyrës”.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: anija e emërtuar “Valbona”, 20 mijë litra naftë; dy automjete dhe 8 copë aparate celulare.

Policia thotë se po vazhdon hetimet intensive për dokumentimin e plotë të këtyre aktiviteteve kriminale dhe do të marrë masa si ndaj subjekteve të tjera të përfshirë ashtu edhe për arrestimin e individëve që e kanë kryer atë.

(shqiptarja.com)