Një taksist ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi është kapur duke shpërndarë lëndë narkotike të forta. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit policor 'Taksisti', i cili është kapur në fragrancë në rreth-rrotulimin e 'TEG'-ut, ku janë sekuestruar dhe 25 doza kokainë. 

Në pranga ka rënë 38-vjeçari Klaudian Sina, lindur në Peqin dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë, i cili shfrytëzonte profesionin e tij si taksist për pazare droge, të cilën e shpërndante kryesisht në zonën e Saukut dhe atë të Tiranës së Re. 

Burime i thanë Report Tv se policia e ka përgjuar për disa muaj taksistin, i cili kishte klientë biznesmenë dhe shumë të rinj, që i furnizonte me kokainë prej muajsh.

Në disa raste taksisti e ka çuar lëndën narkotike edhe në lokalet e natës në periferi. Report Tv mësoi se klientët e merrnin në telefon sikur donin të lëviznin me taksi dhe u çonte kokainën, ku një dozë e shiste nga 70-100 euro, duke iu thënë klientëve se ishte e pastër. Taksisti komunikonte gjithmonë me kode me klientët e tij, të cilët ishin kryesisht biznesmenë.

Uniformat blu sqarojnë se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasi Klaudian Sina, me mjetin tip Ford Focus me targa AA 782 EA, shpërndante lëndë narkotike të llojit Kokainë në doza të vogla në disa zona në Tiranë, menjëherë është organizuar puna për kapjen në flagrancë të këtij shtetasi, ku në rreth-rrotullimin e "TEGUT", Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë ndërhyrë dhe kanë bllokuar automjetin në drejtim të së cilit ishte shtetasi Klaudian Sina si dhe katër pasagjerë të cilët kishin marrë si taksi .

Gjatë kontrollit të automjetit në sediljen e pasme mbrapa pasagjerit të parë, në ndarjen midis sediljes ulëse dhe asaj mbështetëse janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 15 paketime plastike të mbyllura me djegie, brenda se cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë, si dhe nje facolet brenda së cilës kishte 10 paketime plastike të mbyllura me djegie ku kishte material pluhur të dyshuar lëndë narkotike të llojit Kokainë.

Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e proves materiale: 1 automjet dhe 2 telefona celularë. Materialet proceduriale do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga neni 283 i Kodit Penal.

droga tirane per web

droga tirane per web
(Lënda narkotike dhe sendet e sekuestruara nga policia)

d.c./shqiptarja.com