70-vjetori, Anton Papleka, një 
emër i gdhendur në rrathët e lisit

70-vjetori, Anton Papleka, një <br />emër i gdhendur në rrathët e lisit
Ne nuk do të flasim sot për krijimtarinë shumëdimensionale të Anton Paplekës, se me atë le të merret kritika, por do të flasim për jetën e tij të davaritur dhe plot episode interesante të një krijuesi mbetur jetim në moshën dyvjeçare.

Anton (Ndoc) Papleka është poet i njohur shqiptar me emrin e gdhendur në rrathët e lisit të vendlindjes së tij, Nikaj Mertur… Ky burrë me shtatin mesatar e me ca rrudha të shpeshta në fytyrë, që shtohen çdo vit e më tepër, zëëmbël, e me fjalët që i dalin ngadalë-ngadalë si ndonjë plak i mençur nga anët e tij ku ka lindur, shprehet se nuk do të kishte shkruar nëse do të kishte një fëmijëri të lumtur… Ai që në moshë të vogël mbeti jetim, pa baba, duke pranuar perjetësisht vetminë.

Anton Papleka u lind mes bjeshkëve, në Nikaj Mertur më 10 janarit 1945. Por siç kujton ai nga bisedat e të afërmve, ajo ditë çuditërisht ishte me diell dhe e ngrohtë. Prindërit e tij merreshin me bujqësi. Pas hyrjes së forcave partizane në krahinë, në fund të vitit 1944, Marku, babai, u inkuadrua në këto forca të nisura drejt Shkodrës, ku qëndroi deri në mbarim të vitit 1946. Në këtë kohë, kushëriri i tij akuzohet për armë të fshehura dhe pjesëtar i Ballit Kombëtar. Pasi arrestohet, përpiqet të arratiset, por mbetet i vrarë nga rojat që e shoqëronin.

Si pasojë e kësaj vrasjeje, Antonin do ta ndjekë pas tërë jetën hija e zezë e biografisë së keqe politike.
Jo pa qëllim cituam që në fillim të kësaj esseje për Antonin në 70-vjetorin e lindjes, se jetimi i vogël nga fshati Lekbibaj, vuajti vërtetë një fëmijëri të vështirë. Në vitin 1947 Antoni mbetet jetim në moshën dyvjeçare. Në vitin 1953 fillon shkollën fillore në fshatin e tij Lekbibaj, pastaj vijon shkollën 7-vjeçare në Gjonpepaj, e vetmja në zone. Ai ruan kujtime të paharruara për mësuesit Zef Doda, Gjon Nika, Nikollë Lushi e Dedë Markaj, i cili krijoi rrethin letrar të shkollës dhe e nxiti të shkruaj poezi.

Në vitin 1959 Antoni i vogël 14-vjeçar, pasi mbaron shkollën 7-vjeçare me rezultate shumë të mira, bën kërkesë për t’u pranuar në konviktin  e qytetit Bajram Curri, por kërkesa e tij nuk pranohet. Ky mospranim e bind malësorin e vogël se autoritetet lokale nuk do ta lejonin të vazhdonte studimet në shkollën e mesme për shkak të biografisë së keqe politike. Nga dëshira për t’u arsimuar largohet nga fshati dhe udhëton vetëm deri në Tiranë ku troket në dyert e Ministrisë së Arsimit. I ndihmuar nga një titullare e kësaj ministrie, Qibrie Ciu, regjistrohet në shkollën pedagogjike 2-vjeçare në qytetin e nxënësve. Pedagogu i  kësaj shkolle dhe shkrimtari i ri Gjergj Zheji ia vlerëson disa sprova poetike dhe e aktivizon në rrethin e letrarëve të rinj.

E ai vazhdon të shkruaj poezi
E në vitin 1961 boton poezitë e para në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ndërkohë mbaron shkollën 2-vjeçare dhe fillon  punën si mësues në Kërrnajë të Tropojës. Njëkohësisht vazhdon me korrespondencë shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku jep provimet plotësuese dhe merr maturën brenda dy vjetësh.

E ai vazhdon të shkruaj poezi. Në shtator të vitit 1962, nën përkujdesjen e Liri Lubonjës boton një cikël me poezi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në fakultetin Histori-Fililogji, dega gjuhë-letërsi shqipe, duke u emëruar në vendlindje mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe. E ndërkohë vazhdon të botojë poezi në shtypin letrar të kohës, bëhet i njohur si një poet i talentuar që po lind në Tropojë.

Në vitin 1971 boton librin e parë me poezi “Zëri im” dhe pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Vitet kalojnë e Anton (Ndoc) Papleka afirmohet si një nga poetët më të mirë të brezit të tij. Vijon botimi i dytë i librit me poezi ”Ecim” në vitin 1974, ku nderohet me çmimin e parë në konkursin kombëtar letraro-artistik. Po këtë vit Antoni jep ndihmesën e tij për krijimin e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Tropojë, ku zgjidhet kryetar i saj.

E deri më tani Anton (Ndoc) Papleka ka botuar me dhjetra libra me poezi, prozë, përkthime, etj. Në vitin 1999 fiton gradën “Doktori shkencave” për disertacionin me temë “Kult, rite, magji në traditën folklorike”. Kurse në vitin 2005 Akademia e Shkencave të Shqipërisë i jep titullin “Profesor i asocuar”.

Me qenë se nuk është marrë me veprimtari politike, nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është anëtar i ndonjë partie politike, ka mbetur në hije, e shpesh herë edhe pa punë para se të dilte në pension. Veprat e tij në poezi, prozë dhe studime për folklorin janë përkthyer në disa gjuhë. E janë domethënëse vlerësimet që ka bërë për Antonin Alexandre Zotos, duke cituar: “Kërkesa e regjimit të vjetër nganjëherë e kanë shtyrë shpirtin diskret e delikat të Anton (Ndoc) Paplekës drejt një bojskutizmi paksa të lehtë, por kopshti i tij fsheh edhe lule me një butësi të vërtetë, të ushqyer nga zëri i tij i vërtetë, si dhe nga përkthimet e tij të shkëlqyera, veçanarisht nga frëngjishtja”.

Kurse Robert Elsie e ka thënë me kohë verdiktin e tij për Paplekën, duke e cilësuar si një nga krijuesit më të mirë që hyjnë në poezinë më të bukur shqiptare të krijuar në vitet tetëdhjetë në Shqipëri.
Papleka, një  emër i gdhendur në rrathët e lisit, tashmë 70 vjeçar, shkruan e shkruan papra, e siç është shprehur vetë ai , ndonëse e ka mbërthyer pleqëria, po mundohet të punojë që t’ia shtojë pemës së tij ndonjë degëz apo gjethëz të re. Ai vijon të  shkruajnë “sa here që i vjen poezia”, i bindur se dikur do të mbeten ca rreshta, se poezia për të është gjithçka.

T’i jepen meritat
Një kontribut të jashtëzakonshëm, që ia vlen të citojmë, Papleka ka dhënë për baladat shqiptare. Duke u rritur në mjediset e kullave malësore të Nikaj Merturit, që në vegjëli dëgjonte nënën duke i kënduar këngë dhe balada të hershme. Njëherazi duke konkluduar se për shkak të censures shumë tekste me atributet e baladës kishin mbetur pa u përfshirë në rubrikat apo përmbledhjet me balada, e nxiti të hulumtojë në këtë fushë të pazbuluar. Papleka ka mbledhur dhe botuar shumë tekste të plota të baladave të cunguara. Gjithashtu ka paraqitur vlera të shumanshme të baladave tona popullore. Ai ka mbledhur edhe balada të arbëreshëve të Italisë dhe në viset e Shqipërisë politike të vitit 1913.

Aktualisht Anton (Ndoc) Papleka jeton dhe punon ne Tiranë së bashku me bashkëshorten, Feriden, edhe ajo krijuese e talentuar dhe autore e disa librave në poezi, prozë e publicistikë. Ndaj në 70-vjetorin e lindjes, cekëm disa të veçanta  të Anton (Ndoc) Paplekës, autorin e dhjetra e dhjetra librave me poezi, romane, tregime, legjenda, këngë kreshnike, rrëfenja, studime, përkthime.

Pra Papleka është një krijues i gjithanshëm, enciklopedist, ndaj meriton më shumë vëmendje, pasi ka i dhënë shumë kulturës shqiptare në përgjithësi, e poezise shqipe në veçanti. Ndonëse vlerësimin për veprat e tij e ka dhënë me kohë lexuesi, por ata që janë kompentent duhet ta vlerësojnë krijimtarinë e tij 55 vjeçare që në 70  vjetorin e lindjes t’i jepet merita që i takon  këtij zëri të pashuar të kulturës kombëtare.

Ai është dhe mbetet një emër i gdhendur në rrathët e lisit, me të cilin krenohet Nikaj Merturi, Tropoja që i thuri vargje tërë jetën, por edhe mbarë trojet shqiptare që lexohet dhe vlerësohet poeti, shkrimtari, studiuesi dhe përkthyesi poliedrik Anton (Ndoc) Papleka.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg