Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka përkujtuar këtë të hënë 4 shkurtin e 1944-ës, duke e cilësuar një memorial dhimbjeje që shkakton një krim lufte.

Ruçi u shpreh se të gjithë duhet të përulen me respekt, nderim e mirënjohje të thellë para dëshmorëve, partizanëve dhe veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, të cilët sipas tij e rreshtuan Shqipërinë në anën e duhur të historisë. 

"Turpi është për kolaboracionistët, për të cilët Shqipëria demokratike ruan të njëjtin vlerësim si edhe vendet e tjera demokratike”, tha më tej kryetari i Kuvendit duke shtuar se Shqipëria europiane i ka rrënjët tek vlerat antifashiste të shqiptarëve.

"Viti 2019 është jubileu i 75 i çlirimit të Shqipërisë. Me këtë rast, u bëj thirrje të gjitha institucioneve të shtetit që të fillojnë përgatitjet për të kremtuar me krenarinë legjitime që meriton kjo ngjarje madhore e historisë sonë kombëtare”,u shpreh në fund Ruçi.