Qeveria shqiptare ka lidhur një marrëveshje me Kombet e Bashkuara.Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në ceremoninë e memorandumit të bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara, në kuadër të 76-vjetorit të saj, është shprehur se Shqipëria dhe rajoni, janë provë e vlerës së madhe që ka bashkëpunimi multilateral.
Ministrja e konsideron një arritje të madhe marrjen e mandatit nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, pasi ofron mundësi të shkëlqyera për vendin tonë në sferën globale.
Nënshkrimi i këtij programi të ri mes OKB dhe qeverisë shqiptare do të zgjasë për vitet 2022 – 2026.
"Është padyshim një arritje e madhe për Shqipërinë, një arritje prestigjioze që tregon se çfarë pjekurie ka arritur diplomacia shqiptare dhe që njeh rolin konstruktiv të vendit tonë përsa i përket çështjeve të sigurisë, stabilitetit e zhvillimit. Por mbi të gjitha është një mundësi. Një mundësi për një vend të vogël që zakonisht e ka të vështirë të ndikojë apo të bëjë të dëgjohet zëri i tij në arenën globale, që të shtrojë para botës disa ide, disa zgjidhje për problemet që na shqetësojnë të gjithë. Ide e zgjidhje që burojnë nga eksperienca jonë, në çështje si Gratë Paqja e Siguria, Lufta kundër Radikalizmit të Dhunshëm, apo nevoja për të respektuar të drejtat e njeriut, ku Shqipëria padyshim ka shumë për të thënë, apo edhe për çështje si ajo e klimës ku ndoshta s’kemi ende një rekord të qartë arritjesh, por jemi të vetëdijshëm për nevojën për të bërë diçka e për këtë arsye kemi vendosur të bashkojmë forcat me vende të tjera që ndajnë të njëjtin shqetësim për të marrë stafetën për këtë çështje prej tyre e për t’ia kaluar atë në fund të mandatit tonë një tjetër vendi partner.", u shpreh ministrja.
Gjatë fjalës së tij, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj theksoi se në vendin tonë janë zbatuar 3 programe që janë nënshkruar me OKB-në.
Teksa u ndal te dy krizat që goditën vendin, Ahmetaj tha se qeveria nuk la asnjë pas që u godit nga tërmeti apo dhe pandemia e COVID-19. Mes të tjerash Ahmetaj i është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me raportin e Bankës Botërore, ndërsa theksoi se populizmi injorant, kthehet në politikë trendi.
“Dua t’i jap meritat e duhura partneritetit të gjatë mes qeverisë shqiptare dhe kombeve të bashkuara dhe të pranoja se ky program që nga 2007-ta vendi ynë u zgjodh me ketë qasje të re, ka qenë sukses. Miratimi i axhendës 20-30 shënoi një moment historik dhe për Shqipërinë, e cila ka lëvizur shpejt për të përshpejtuar zbatimin e saj në çdo qelizë. Me moton; të mos lëmë asgjë pas. Rruga jonë drejt zhvillimit të shpejtë, nxitet për të përmbushur standardet e BE. Çdo agjenci në familjen e OKB-së ka ndihmuar qeverinë tonë. Kjo ditë duhet përdorur si ditë reflektimi në atë moto që përmenda më parë. Dhe jo pa qëllim e përmenda projekt-buxhetin 2021-2022. Duhet të kujtojë tërmetin dhe pandeminë, pasi ne nuk jemi vend i pasur. Ne nuk lamë asnjë mbrapa pas vitit 2019-ën kur ra dhe tërmeti. Shpesh herë i tregoj miqve të mi kuptimin e të qenit një shërbëtor publik. Dua të ndaj me ju një moment tejet emocional që është në thelb të asaj që po bëjmë sot. Një ditë bashkë me kryeministrin shkuan në një fshat të Tiranës, për t’i dorëzuar çelësin e shtëpisë një nënë, e cila kishte djalin e martuar, me probleme shëndetësore dhe gruan e tij po ashtu me probleme, dhe dy fëmijë studentë. Nëna ishte gati mosha e nënës time.
Atë moment mendova se çfarë do t’i ndodhte asaj familje, nëse ky kryeministër do të dilte të bënte të ftohtin e ekonomisë së tregut, duke i treguar derën e bankës. Ajo nënë s’do të kishte dot shtëpinë e vetë. Nëse do e kishte, do kishte te dera e shtëpisë bankën përditë. Kur iu referoma buxhetit të 2022-shit, me shumë modesti them se kemi iniciuar paketa me rëndësi për ata më në nevojë. Janë 15 mijë familje që marrin ndihmë ekonomike, të cilat do iu dyfishojmë. Ngritja jonë ekonomike është 18%, e shpejtë, por e pamjaftueshme. Ky vend ka nevojë që të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë. Ne e frenuam uljen e popullsisë, e rritëm arsimimin. S’dua ta lë pa përmendur me një falënderim të madh, OKB, BE, për të gjitha vendet që na ndihmuan. Sfidat që kam përmendur, të gjitha raportet, kur rendit institucionet, duhet të përmendësh atë që të ka ftuar. Do i referohem raportit të fundit të BB-së; Shqipëria e ka ulur varfërinë në raport me vendet e tjera, me shpejtësi shumë më të madhe. Duke lexuar, sfidat e mëdha, për mua në një rrezik ku populizmi injorant, kthehet në politikë trendi, atë ditë njerëz, qytetarë të angazhuar si unë dhe si ju, duhet të flasë për reforma. Varfëria nuk ulet me fjalë as të ngrohta, as të mira as populiste për të varfrit. Të gjitha janë false nëse nuk zbatohen dhe mbështet në reforma intensive. S’do të riri pa përmendur reformën në drejtësi, që ka futur elektricitet në drejtësi, apo reformën në arsim.”, tha ai.