Miratimi në Kuvend i ligjit “Për Barazinë Gjinore” nuk i mbylli aty përplasjet disa mujore mes palëve që kur drafti i prezantua.

Për Partinë Socialiste ligji garanton vetëm barazi mes grave dhe burrave në çdo fushë të jetës, duke hedhur poshtë pretendimet se shtohet numri i gjinive.

“Nëse dikush do të donte të prezantonte gjini të reja në shoqërinë shqiptare do të duheshin reforma të thella ligjore, duke nisur nga ndërhyrjet në Ligjin  “Për Gjendjen Civile” apo duke miratuar një kuadër specifik ligjor për njohjen e identiteteve të reja gjinore. Le të jemi të qartë: narrativa që "po legalizohen 70 gjini në Shqipëri" është një gënjeshtër e qëllimshme, e përsëritur aq shumë sa disa filluan ta besonin. Në realitet, ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua”, thotë Iris Luarasi, deputete e PS.

Deputetja Luarasi shpjegoi se koncepti i "përkatësisë së shumëfishtë" tregon diskriminimin e shtuar që mund të përjetohet për shkak të moshës, origjinës etnike, vendbanimit rural, aftësive të kufizuara apo statusit socio-ekonomik.

“Ky koncept, nuk lidhet  me konceptin “përkatësi e  shumëfishtë gjinore” siç është pretenduar gabimisht. Mjafton një kërkim në tekstin e projektligjit dhe do kuptohet se togfjalëshi “Përkatësia e shumëfishtë gjinore” nuk ekziston”, tha Luarasi.

Për PS edhe pretendimi se shtohen termat prindi 1 dhe prindi 2 në ligj janë vetëm një gënjeshtër e shpikur nga ata që nuk e kanë lexuar projektligjin. 

Por për opozitën e gjitha është një komplot kundër familjes shqiptare dhe paralajmërojnë se do të kërkojnë referendum për rrëzimin e ligjit.

“PD nuk pajtohet me këtë ligj. Ajo do ndërmarrë të gjitha hapat kushtetuese, do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e këtij ligji, i cili në fakt përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar pasi rrëzon të paktën 4 nene të Kushtetutës. Kjo përpjekje do bëhet në bashkëpunim të ngushtë me çdo shqiptar që e ka familjen sa hyjnore, aq edhe tokësore”, tha Sali Berisha.

“Ligji të zi që shpërbën familjen shqiptare. Miratimi i këtij ligji i financuar nga Soros dhe mafia ndërkombëtare është vijim i axhendës për shpopullimin e Shqipërisë dhe shndërrimin në një fermë të surrogacisë. Promovimi i degjenerimit, i vesit dhe i kaosit si vlera morale. Ligji i miratuar nga 77 deputetë surrogate zëvendëson fjalët e shenjta nënë dhe baba me disa terma të ftohtë dhe të pakuptueshëm si dhe fshin nocionet e burrit dhe gruas për t’i zëvendësuar me konstrukte të paqarta”, u shpreh Tedi Blushi.

Ligji u përshëndet përmes një reagimi të veçantë edhe nga “UN Women Albania”, strukturë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila e quajti një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të mundësive të barabarta për të gjithë, gra e burra, vajza e djem.

OKB e cilëson ligjin një fitore për familjen dhe shoqërinë në tërësi, duke u dhënë vajzave dhe djemve mundësinë të rriten në një vend që vlerëson çdo njeri në mënyrë të barabartë.

Projektligji për “Barazinë Gjinore” u miratua në Kuvend me 77 vota pro të mazhorancës dhe 36 kundër të deputetë të opozitës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:44
Ligji ‘Për barazinë gjinore’/ Aktivistët: Mishëron parimin e demokracisë se çdo person, pavarësisht çdo karakteristike identitare, duhet të jetojë me dinjitet dhe në barazi të plotë

1762526731_WhatsAppImage20251107at15.09.02.jpeg

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), AËEN dhe shoqëri të tjera civile mbajtën ditën e sotme një konferencë të përbashkët për shtyp lidhur me miratimin e Ligjit për Barazinë Gjinore nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas aktivistëve ky ligj mishëron parimin themelor të demokracisë sonë: se çdo person, pavarësisht gjinisë, aftësisë, moshës, racës, etnisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, prejardhjes, statusit social dhe çdo karakteristike tjetër identitare, ka të drejtë të jetojë me dinjitet dhe në barazi të plotë, jo vetëm përpara ligjit, por edhe përpara mundësive të barabarta.

Deklarata e plotë:

Ligji "Për Barazinë Gjinore" është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me të drejtën e Bashkimit Evropian (acquis) në kuadër të procesit euro-integrues dhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë, duke përfshirë instrumenta themelore të të drejtave të njeriut të sistemit të Këshillit të Europës dhe Kombeve të Bashkuara, korpus juridik i nënshkruar dhe ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 5, 17, 116 dhe 122 të Kushtetutës shqiptare gjatë 35 viteve të fundit.

Ligji i ri "Për Barazinë Gjinore" përfaqëson një reformë strukturore ligjore, social- ekonomike dhe kulturore për të gjithë shoqërinë, që e përafron Shqipërinë me standardet ligjore dhe vlerat e Bashkimit Europian. Ky ligj përfshin një sërë dispozitash që garantojnë të drejta e mundësi të barabarta për zhvillim për të gjithë qytetarët, duke përfshirë grate dhe vajzat, personat me aftësi të kufizuara, komunitet rome dhe egjiptiane dhe personat LGBTIQ+.

Në vijim të kësaj deklarate, theksojmë disa nga risitë e ligjit:

1. Për herë të parë, ligji "Për Barazinë Gjinore"njeh punën e papaguar si kontribut për zhvillimin e familjes dhe të shoqërisë, duke përfshirë kujdesin për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe punën bujqësore në ekonomitë familjare. Ky është një hap i madh përpara në vlerësimin real të kontributit të të gjitha grave, sidomos atyre rurale dhe punës së tyre shpesh të padukshme.

2. Ligji i ri për Barazinë Gjinore është një premtim ligjor që asnjë grua e burrë, asnjë nënë e baba, asnjë kujdestare dhe kujdestar nuk do të mbetet më jashtë politikave të punës, shëndetit, arsimit dhe mbështetjes sociale. Bazuar në këtë ligji, shteti shqiptar ka detyrim ligjor të zhvillojë politika për të siguruar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private, për eliminimin e hendekut gjinor në paga dhe për promovimin e ndarjes së barabartë të përgjegjësive mes grave dhe burrave për kujdesin për familjen.

3. Një kapitull i veçantë i ligjit trajton barazinë gjinore në bujqësi dhe zhvillimin rural, duke njohur rolin e grave në bujqësi dhe duke garantuar akses në kredi, programe mbështetëse e shërbime bazë në zonat rurale.

4. Ligji parashikon masa të qarta kundër diskriminimit në vendin e punës, duke garantuar pagë të barabartë për punë me vlerë të barabartë, mbrojtje të grave

shtatzëna dhe prindërve të rinj, ndalim të ngacmimit seksual dhe detyrimin e çdo punëdhënësi,publik ose privat, për të hartuar rregullore të brendshme për

parandalimin e dhunës dhe ngacmimeve në vendin e punës. Miratimi i këtij ligji është një fitore për çdo grua, vajzë, punëtore në fabrikat e tekstileve, infermiere, mësuese, punonjëse pastrimi apo bujqësie, që meriton siguri, respekt dhe kushte të drejta e të barabarta pune.

5. Ky ligj, në nenin 12 të tij, detyron institucionet publike të zbatojnë buxhetimin e përgjigjshëm gjinor, duke garantuar që burimet publike të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe transparente, sipas nevojave reale të të gjithë grave dhe burrave. Në të njëjtën linjë, neni 11 kërkon që çdo projektligj shqiptar të shoqërohet me vlerësimin e ndikimit gjinor, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që institucionalizon këtë praktikë të mirë ndërkombëtare.

6. Ligji i ri për Barazinë Gjinore, nëpërmjet nenit 10 të tij, detyron institucionet, shkollat, median dhe çdo subjekt publik e privat të përdorë gjuhë me ndjeshmëri gjinore dhe gjithëpërfshirëse, si mjet për të ndalur stereotipet, diskriminimin dhe seksizmin në hapësirën publike. Ky është një hap i domosdoshëm për të përmirësuar komunikimin institucional dhe publik në Shqipëri, larg steriotipeve të dëmshme gjinore dhe gjuhës seksiste, për t'u bërë një shoqëri me vlera, standarte dhe kulturë të Bashkimit Europian, ku barazia fillon nga komunikimi dhe respekti i dinjitetit njerëzor.

7. Përmes miratimit të ligjit "Për Barazinë Gjinore", Shqipëria forcon zbatimin e parimit të mosdiskriminimit, duke përfshirë qartë identitetin gjinor, shprehjen gjinore dhe orientimin seksual si pjesë të mbrojtjes ligjore kundër diskriminimit dhe pabarazisë me bazë gjinore. Ky aspekt shënon një hap të rëndësishëm drejt një Shqipërie që respekton dhe mbron të drejtat e njeriut pa kompromis, si një vend që qëndron me dinjitet në rrugëtimin e tij për t'u anëtarësuar në Bashkimit Europian si një shoqëri më e hapur, më e drejtë dhe më përfshirëse.

8. Ky ligj vendos theksin te edukimin gjinor si pjesë e detyrueshme e kurrikulave shkollore dhe të arsimit profesional, duke synuar formimin e brezave më të edukuar ndaj barazisë gjinore dhe rëndësisë së eliminimit të stereotipeve gjinore, duke kontribuar në ndërtimin e një kulture respekti, barazie dhe dinjiteti që nga moshat e hershme.

9. Garantimi i barazisë gjinore në teknologjitë e informacionit, në media dhe në komunikimin publik, duke përforcuar kuadrin mbrojtës ndaj gjuhës së urrejtjes, përmbajtjeve seksiste dhe diskriminimit në hapësirat online dhe në mediat tradicionale, përfaqëson një tjetër pikë të fortë të këtij ligji

10. Së fundi, ligji përcakton mekanizma të qartë për monitorim dhe përgjegjësi, përfshirë masa disiplinore dhe gjoba për shkeljet, si dhe të drejtën e çdo individi për kompensim dhe mbrojtje gjyqësore kur cënohet parimi i trajtimit të barabartë. Ligji shqiptar "Për barazinë gjinore" është, mes të tjerash, edhe fryt i viteve të përpjekjeve të pandalshme të shoqërisë civile, aktivistëve, organizatave të grave dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, të cilët kanë luftuar për një sistem që e sheh barazinë gjinore jo si privilegj, por si e drejtë themelore dhe shtyllë të zhvillimit demokratik, si një detyrim bazë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky ligj është një fitore për të gjithë shoqërinë shqiptare, është një fitore për të gjithë ata që besojnë në një Shqipëri më të drejtë, më barazimtare dhe më humane. Është një fitore për punëtorët dhe punëtoret, për prindërit që kërkojnë mbështetje, për të rinjtë që duan mundësi të barabarta, për gratë në fshat dhe qytet, për personat me aftësi të kufizuara dhe për komunitetet që kërkojnë respekt, njohje ligjore dhe përfshirje. komunitet.

Miratimi i këtij ligji është një fitore, por zbatimi i tij do të jetë sfida jonë e përbashkët. Institucionet duhet të sigurojnë që ai të zbatohet në çdo nivel,në punë, në arsim, në shërbime sociale, në vendimmarrje dhe në Ne, mbrojtësit dhe mbrojtëset e të drejtave të njeriut, riafirmojmë përkushtimin tonë për të mbetur zëri i njerëzve që shpesh nuk dëgjohen, si dhe për të punuar së bashku me institucionet publike e private shqiptare, me partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetet në terren që ky ligj të kthehet në jetë, në veprim dhe në ndryshim të prekshëm.

Ora 14:48
Ligji për barazinë gjinore, Blushi: I imponuar nga Soros, fshin nocionet e burrit dhe gruas

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë  Tedi Blushi , gjatë një konference për shtyp, dënoi miratimin e ligjit për barazinë gjinore nga Kuvendi, duke e cilësuar atë si akt antikushtetues dhe anti-kombëtar.

Ai theksoi se ligji, sipas partisë, synon shpërbërjen e familjes shqiptare. Partia e Lirisë e konsideron këtë akt si një kërcënim për identitetin, kulturën dhe traditat e vendit.

Po ashtu, Blushi u bë thirrje për mbrojtjen e vlerave familjare dhe ndërgjegjes qytetare kundër këtij ligji. Blushi hodhi akuza se ligji është i imponuar nga George Soros.

"Miratimi i këtij ligji, i imponuar nga Xhorxh Sorros dhe mafia ndërkombëtare është në fakt vijim i axhendës antikombëtare për shpopullimin dhe shndërrimin e Shqipërisë në një fermë të surrogacisë. Qëllimi i vetëm i këtij ligji është shpërbërja e familjes shqiptare, shkatërrimi i shoqërisë dhe kombit shqiptar dhe promovimi i degjenerimit i vesit dhe i kaosit si vlera morale. Të sulmosh familjen me ligj, do të thotë të sulmosh Kombin, identitetin, historinë, traditat dhe kulturën. Shpërbërja e familjes nuk është moderne, por është thjesht dhe vetëm një shkatërrim.  Është padrejtësi dhe krimi më i rëndë që ky Parlament ka bërë ndaj brezave të ardhshëm”, tha Blushi.

Blushi pretendon se ligji fshin nocionet e burrit dhe gruas.

“Ligji i miratuar nga 77 deputetët surrogato të Parlamentit,  zëvendëson fjalët e shenjta nënë dhe baba me disa terma të ftohtë dhe të pakuptueshëm,  si dhe fshin nocionet e burrit dhe gruas për ti zëvendësuar ato me konstrukte të paqarta të shpikura sipas interesave të një pakice globaliste që kërkon të transformojë vendin tonë pa pyetur për identitet, histori, kulture, vlera dhe pa pyetur as për ata që besojnë në zot.

Barazia gjinore apo liria nuk do të thotë të zhdukësh me ligj dinjitetin e nënës dhe të babait dhe të çnjohësh natyrën e burrit dhe të gruas. Sepse ne besojmë se fuqia e vërtetë e një Kombi vjen pikërisht nga mbrojtja e vlerave të përjetshme dhe se familja është themeli i parë ku lind dhe ku qëndron forca e një Kombi”, tha Blushi.  

Ora 13:17
Ligji për Barazinë Gjinore, Iris Luarasi: Nuk krijon gjini të reja, synon të garantojë barazi reale midis burrë e grua

Deputetja e PS-së, Iris Luarasi thotë se ligji për barazinë gjinore, që u miratua mbrëmjen e djeshme me 77 vota pro nga maxhoranca në Kuvend, synon të zbatojë në praktikë parimin kushtetues të barazisë mes grave dhe burrave dhe nuk krijon “gjini të reja”, siç pretendojnë kundërshtarët e tij. Sipas Luarasit, akuzat se ligji kërcënon familjen tradicionale apo “legalizon 70 gjini” janë gënjeshtra të përhapura qëllimisht. 

“Në realitet,  ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua", theksoi ajo, duke shtuar se nëse do të dikush do të donte që të prezantonte gjini të reja do të duheshin reforma të thella ligjore,  ndërhyrje në ligjin për gjendjen civile si dhe një kuadër specifik ligjor për njohjen e identiteteve të reja gjinore.

Deputetja sqaroi se koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë” në ligj lidhet me rastet e diskriminimit të kombinuar, si p.sh. një grua rome apo një grua me aftësi të kufizuara, dhe jo me nocione të reja gjinore. Po ashtu, ajo mohoi pretendimet se ligji zëvendëson termat “nënë” e “baba” me “prind 1” dhe “prind 2”.

Luarasi theksoi se termi “gjuhë me ndjeshmëri gjinore” në ligj ka të bëjë vetëm me përdorimin e saktë të gjinisë në komunikimin institucional, si “ministre” apo “drejtore” kur drejtuesja është grua.  Ajo theksoi se ligji adreson probleme reale të shoqërisë shqiptare, si dhuna ndaj grave, pabarazia në paga dhe mungesa e grave në tregun e punës.

Deklarata e plotë e Iris Luarasit:

Ligji për Barazinë Gjinore i miratuar dje nga Parlamenti Shqiptar, synon të transformojë në realitet parimin kushtetues të barazisë mes grave dhe burrave në çdo fushë të jetës.
 
Për shkak të gjuhës së urrejtjes dje në Parlament, është e rëndësishme të adresojmë debatet pa thelb që ky ligj ka shkaktuar, të cilat i i kemi dëgjuar në komisone dhe i dëgjuam edhe dje në seancën plenare dhe ishte e qartë se shumë kolegë kishin më shumë kohë për rrjetet sociale sesa për leximin e projektligjit.
 
Janë shprehur shqetësime për terminologjinë e përdorur, duke pretenduar se ligji "kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive".

Në realitet,  ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua.
Nëse dikush do të donte të prezantonte gjini të reja në shoqërinë shqiptare do të duheshin reforma të thella ligjore, duke nisur nga ndërhyrjet në Ligjin  “Për Gjendjen Civile” apo duke miratuar një kuadër specifik ligjor për njohjen e identiteteve të reja gjinore.

Eshtë pretenduar se ligji "kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive".

Le të jemi të qartë: narrativa që "po legalizohen 70 gjini në Shqipëri" është një gënjeshtër e qëllimshme, e përsëritur aq shumë sa disa filluan ta besonin. Në realitet, ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor.
 
Ai nuk krijon kurrësesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua.
Koncepti i "përkatësisë së shumëfishtë" që referohet në ligj nënkupton diskriminimin e shtuar që mund të përjetohet për shkak të moshës, origjinës etnike, vendbanimit rural, aftësive të kufizuara apo statusit socio-ekonomik.

Ky koncept, nuk lidhet  me konceptin “perkatesi e  shumëfishtë gjinore” siç është pretenduar gabimisht.

Mjafton një kërkim në tekstin e projektligjit dhe do kuptohet se togfjalëshi “Përkatësia e shumëfishtë gjinore” nuk ekziston.

“Përkatësia e shumëfishtë” është koncept ligjor që do të thotë se një person mund të përjetojë diskriminim bazuar në më shumë se një shkak.

Për shembull, si grua dhe rome dhe si grua me aftësi të kufizuara, si baba i vetëm dhe emigrant, ose si vajzë e re nga zonat rurale. Në realitetin shqiptar, këto ndërthurje janë të zakonshme dhe të dukshme dhe këto realitete nuk mund të injorohen nga ligji kryesor kombëtar që pretendon të adresojë efektivisht barazinë gjinore. Pa njohjen e konceptit të përkatësisë së shumëfishtë, këto raste komplekse bëhen juridikisht të padukshme.
 
Kemi degjuar gjatë kësaj periudhe se projektligji detyron përdorimin e “gjuhës gjithëpërfshirëse gjinore”, duke zëvendësuar termat “nënë” dhe “baba” me shprehje neutrale si “prind 1” dhe “prind 2”. As unë dhe as kolegët e mi të Partisë Socialiste nuk do votonin kurre per nje ligj qe nuk do na jepte mundesine qe femijet mos na therrasin nënë dhe baba dhe termat prindi 1 dhe prindi 2 në ligj janë vetëm një gënjeshtër e shpikur nga ata që nuk e kanë lexuar projektligjin, por besojnë çdo gjë që lexojnë në rrjetet sociale.
 
Koncepti “Gjini” i marrë nga Konventa e Stambollit, e nenshkruar dhe ratifikuar nga ky Parlament kur opozita e sotme ishte ne pushtet, nuk flet per shume gjini.
Me lejoni ta citoj sic eshte ne projektligj meqe shumica e narratives eshte ngritur nga njerez qe s’e kane lexuar fare projektligjin, por vetem besojne narrativen e rrjeteve sociale se duan te na shkaterrojne familjen.
 
Gjini nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat;
 
Në projektligj nuk përdoret termi “gjuhë gjithëpërfshirëse gjinore”, por flitet për gjuhë me ndjeshmëri gjinore, e cila nuk përfaqëson asgjë më tepër sesa korrektësi gramatikore në terma, qe koleget e mia në vendimarrje mos te nenshkruajne me termin Minister, por te nenshkruajne me termin Ministre. Mos te perdorim termin drejtor, por drejtore kur drejtuesja e institucionit eshte nje grua, e keshtu me rradhe.
 
Jane permendur disa here nga kolege te opozites ne komisione shembuj nga disa vende europiane.  Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”.
Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian.

Ashtu sic eshte e vertete se Komisioni Evropian ka hapur procedura shkeljeje  ndaj disa prej këtyre shteteve dhe ka paralajmëruar sanksione financiare sipas nenit 260 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.

Nëse shtetet refuzojnë të korrigjojnë shkeljet, ato rrezikojnë gjoba ditore, pezullim të fondeve të BE-së, apo përjashtim nga programet e bashkëpunimit.
Pra, nuk kemi të bëjmë me “shembuj të mirë” que duhen ndjekur, por me shkelje që po diskutohen në gjykatat evropiane si cenim i parimeve themelore të së drejtës evropiane.

Realiteti që Injorohet
 
Ndërkohë që disa shpikën probleme imagjinare, le të flasim për problemet reale që ky ligj adresson:
 
Çdo ditë në Shqipëri 7 gra raportojnë dhunë në familje. Vetëm në 6 muajt e parë të 2025-ës, janë regjistruar 1,260 denoncime—një alarm social që duket se disa kolegë preferojnë ta injorojnë në emër të "familjes tradicionale".​

Gratë në Shqipëri paguhen 4.5% deri në 17.4% më pak se burrat për të njëjtën punë. Për çdo 100 lekë që fiton një burrë, një grua fiton vetëm 82.6 lekë sipas disa studimeve.​
31% e grave dhe vajzave nuk kërkojnë punë sepse janë të dedikuara detyrave shtëpiake, krahasuar me vetëm 2% të burrave.
Kjo është "familja tradicionale" që disa duan ta mbrojnë—ku gruaja mbetet në shtëpi, e pa paguar dhe e pa mundësi.
 
Në përfundim, ky projektligj nuk është një eksperiment social, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ai nuk kërcënon familjen, por e përforcon atë duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët e saj.

Nuk krijon privilegje, por korrigjon padrejtësi historike. Nuk imponon ideologji të huaja, por zbaton vlera universale të të drejtave të njeriut që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar.

Nuk ecën përpara shoqëria shqiptare kur në emër të familjes, do që ta kthesh gruan në rolin e saj tradicional që të mos shkoj në punë, por të kujdeset për familjen.
Shoqëria ecën përpara kur burrë e grua janë partnerë, e paguhen njësoj për të njëjtën punë, e trajtohen me dinjitet pa u ndarë në qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë.
 
Dhe të gjithë ata që vazhdojnë të shpërndajnë dezinformim dhe të nxisin urrejtje, le ta dinë: historia nuk do t'i mbajë mend si mbrojtës të familjes, por si pengues të progresit.
 
Ndërkohë që ne do të vazhdojmë përpara, duke ndërtuar një Shqipëri ku çdo qytetar—burrë apo grua—ka të njëjtat mundësi, të njëjtat të drejta, dhe të njëjtin respekt.
 
Kjo është Shqipëria që ne po ndërtojmë. Dhe kjo është Shqipëria që do të hyjë në Bashkimin Evropian—jo me diskriminim dhe pabarazi, por me drejtësi dhe dinjitet për të gjithë.