Numërimi mbrapsht për koncertin e Kanye West në Tiranë ka hyrë në javën e fundit, ndërsa në Kashar vijojnë punimet për ndërtimin e “Eagle Stadium”, arena ku artisti amerikan do të ngjitet në skenë më 11 korrik.
Pamjet nga ecuria e punimeve i ka ndarë në rrjetin social X ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja.
“-8 ditë nga momenti që Shqipëria do të hyjë në histori! Kanye West në Eagle Stadium në Kashar më 11 korrik. Nëse ende po mendon ‘e marr më vonë’... kjo është shenja jote. Siguro biletën tani dhe mos e lër FOMO-n të të godasë pasi të shohësh story-t e të tjerëve”, shkruan Gonxhja.
Koncerti i Kanye West konsiderohet një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Biletat nisin nga 120 euro, ndërsa ato VIP arrijnë deri në 339 euro. Shfaqja në Tiranë është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026 që është pritur me polemika në disa vende të botës.
Megjithatë, një muaj më parë, West mbajti një koncert në Stadiumin Olimpik Atatürk në Stamboll, ku sipas organizatorëve morën pjesë rreth 118 mijë spektatorë dhe sipas këngëtarit u thye rekordi i numrit më të lartë të fansave në një stadium.
Organizator i koncertit në Tiranë është kompania “Streetlife”, me bazë në Berlin, e cila ka organizuar më herët koncerte të artistëve si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj. Në Shqipëri, eventi mbështetet nga Redcloud dhe Live Label.
“Eagle Stadium” po ndërtohet enkas për këtë koncert pranë autostradës Tiranë-Durrës dhe do të ketë një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh.
Interesi për koncertin në Tiranë mbetet i lartë, edhe pse artisti është shoqëruar me polemika në Europë.
Komente








