Është shumë, shumë interesante se si besimet, që nga më të vjetrat mbi Tokë, përdorin me simbole dhe metafora ardhjen e Dritës dhe sundimin e saj pas errësirës. Për ata që besojnë dhe për ata që nuk besojnë është e thjeshtë: Drita sjell dituri, dituria sjell drejtësi dhe drejtësia sjell barazi, harmoni e kompensim të dhimbjes së pabarabartë mes njerëzve në glob.
Por mbi të gjitha Drita sjell shpresë dhe durim, e sidomos këmbëngulje për rezistencë në momentet kur errësira, e pashmangshme dhe ritmike, bën udhëtimin e saj të radhës mes nesh.
Kur shpesh sjell si shembull Shpellën e Platonit, ndërsa njerëz të lidhur me zinxhir shihnin në muret e shpellës të projektuar hijet e tyre dhe të objekteve që mendonin se ishin realiteti, jeta, bota; kur ata dalin jashtë saj, nuk besojnë dot atë që shohin papritur me sytë e tyre, atë që drita dhe bota u shpalos.
Kanë kaluar mijëra vite kur Jezu Krishti përpiqej t’u jepte dritë njerëzve që të shihnin më mirë, përpjekjet janë kolosale dhe të përditshme nga më të mirët e shoqërisë që ndezin “qirinjtë” e tyre duke u përpjekur që cilido prej nesh të nxjerrë konkluzione sipas fakteve nën dritën reale të diellit. Kur sot habitemi për gjendjen në rrjete sociale, për urrejtjen, informacione fake, anë të papëlqyera të ekzistencës sonë njerëzore, mund të themi vetëm se ato kanë ekzistuar përherë, kanë qenë përherë mes nesh.
Sot kemi vetëm më shumë dritë për t’i parë dhe për t’i njohur. Kemi dalë nga “shpella” e dikurshme platoniane, por, edhe nëse disa përpiqen ta mbajnë dritën e diturisë përherë të ndezur, nuk janë të paktë ata që bëjnë të pamundurën për ta shuar.
Edhe kjo Krishtlindje nuk është ndryshe nga mijëra Krishtlindjet e festuara: Mbetet një përpjekje titanike, ciklike e bukurisë dhe pastërtisë së dritës, ndaj errësirës që kërkon të na mbajë hutuar.
Komente









