Abuzim me fondet e BE në SASPAC, shtyhet për nesër masa e sigurisë për Beqajn dhe bashkëpunëtorët (VIDEO)

TIRANË- Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për ish-ministrin Ilir Beqaj dhe 5 bashkëpunëtorët e tij do të mbahet ditën e nesërme në GJKKO. Seanca e parashikuar për sot, u shty nesër në 12:30 me kërkesë të avokatëve mbrojtës të cilët kërkuan që të njihen me aktet hetimore.

Vetë ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u dërgua me pranga në duar në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ndërsa që nga e enjtja po mbahet në paraburgim, në bllokun e sigurisë në rrugën Mine Peza në Tiranë.

Beqaj u arrestua dje (4 korrik 2024) së bashku me dy bashkëpunëtorë pasi akuzohen për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Gjyqtarja që ka firmosur dhe urdhërarrestet, Rudina Palloj do të bëjë nesër dhe vlerësimin e masës së sigurisë, për Ilir Beqaj - Drejtori i SASPAC - , Ermal Kurtulaj - koordinator i projektit EUSAIR,  Alfred Nikollaj - drejtori Administrativ i ‘Landëays International’ të tre këta janë në arrest me burg. Në arrest shtëpie janë Gazmend Haxhia - Pronari i ‘Landëays International’ për të cilin nuk është ekzekutuar masa e sigurisë dhe Elton Marini ortak i shoqërisë private. Në detyrim me paraqitje janë Bledar Leka e Bjona Zijaj konsulentë financiare 

Beqaj akuzohet dhe për korrupsionit, mos deklarim të ardhurave duke fshehur pronësinë e restorant 'Gzones' afër Kalasë së Tiranës dhe të një automjeti.

Drejt burgut ish ministrin Ilir Beqaj e çoi një procedim penal i nisur 6 shtatorin e vitit të kaluar, regjistruar në ngarkim të Ermal Kurtulajt, koordinatori i EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ku Beqaj ishte drejtor.

SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës, thuhet ne njoftimin e SPAK.

Përveç tij gjykata ka vendosur arrest me burg edhe për bashkëpunëtorin Ermal Kurtulaj si dhe Alfred Nikollin, drejtori Administrativ i një kompanie me emrin ‘Landëays International’ e cila është përdorur pikërisht për këtë skemë përfitimi sipas SPAK, duke marrë tendera fiktivë pa kryer shërbime, teksa kthente mbrapsht paratë te Beqaj përmes Gzonës dhe jo vetëm.

Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landëays International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.

Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë. Prokuroria e Posaçme nënvizon se Ilir Beqaj ka investuar vetëm në vitin 2019 në Restorant Gzona mbi 100 mijë euro (21.411 euro dhe 4.666.110  lekë për blerje të pajisjeve dhe 34.783 Euro pagesë qiraje e të tjera). Të gjitha këto shpenzime nuk i ka deklaruar. SPAK thotë se të gjitha interesat në restorant, Beqaj i ka ushtruar për Kurtulajt, i cili ka administruar, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.

7 urdherarrestet e firmosura, 6 u ekzekutuan

Arrest ne burg
1- Ilir Beqaj - Drejtori i SASPAC 
2- Ermal Kurtulaj -   koordinator i projektit EUSAIR 
3- Alfred Nikollaj - drejtori Administrativ i ‘Landëays International’
Arrest në shtëpi:
4- Gazmend Haxhia - Pronari i ‘Landëays International’ - Nuk është ekzekutuar vendimi
5- Elton Marini - Menaxher futbollistesh  -ortak i shoqërisë private  
Detyrim paraqitje:
6- Bledar Leka 
7- Bjona Zijaj - konsulente financiare 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:33
VIDEO/Dosja SASPAK, momenti kur makina e burgjeve sjell Beqajn në GJKKO! Në gjykatë dhe bashkëpunëtorët e tjerë 

Report Tv siguron videon e momentit kur Ilir Beqaj ka mbërritur në GJKKO. Ai akuzohet se gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ka abuzuar me fondet e BE-së. Beqaj akuzohet dhe për korrupsionit, mos deklarim të ardhurave duke fshehur pronësinë e restorant 'Gzones' afër Kalasë së Tiranës dhe të një automjeti 

Në gjykatë kanë mbërritur dhe Bjona Zijaj e Elton Marini Bledar Leka

 

S.G/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 05/07/2024 08:37

    Qentë le të lehin, shikoni tunelin, rrugët më pagesë, resortet e Trumpit që shkojnë për para ju.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë