TIRANË - Kërkoi 80 mijë euro në këmbim të një vendimi në procesin gjyqësor me dy palë në qytetin e Sarandës, prangoset gjyqtari Rasim Doda.
 
Doda është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe autorizim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa hetimet ndaj tij kanë nisur më 21 prill kur ndaj Dodës është regjistruar procedimi penal për korrupsion pasiv.
 
 
Doda është arrestuar në kryeqytet, ndërsa pritet që të dielën ai të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzën ndaj tij.
 
Burime për A1Report nga krimet e rënda sqaruan se Doda ka takuar një nga palët në procesin gjyqësorë që ai shqyrtonte dhe në një bisedë me anë të shifrave treguar me gishtat e dorës i ka bërë të qartë personit se duhet të paguante 80 mijë euro.
 
Për të krijuar besimin se vendimi do të ishte në favor të personit që do paguante paratë Doda i ka dhënë atij një kopje të diapozitivit të vendimit, por në pak ditë gjithçka ka ndryshuar pasi gjyqtari nuk mori paratë dhe ndryshoi vendimin në seancë.
 
Në këtë moment është bërë kallëzimi ndaj Dodës dhe hetimet ndaj tij si dhe ekzaminimi i kompjuterit të gjyqtarit kanë bindur hetuesit të kërkojnë arrestimin e tij pasi ky i fundit dispozitivin e vendimit me të cilin kërkonte 80 mijë euro e kish fshirë dhe kishte krijuar një tjetër kopje në favor të palës kundërshtare në proces.
 
Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të mblidhet dhe njëherë brenda pak ditësh për gjyqtarin Doda ku pas masës së sigurisë do të vendoset nëse do të pezullohet apo nga funksionet e gjykatësit Rasim Doda.


Njoftimi i Prokurorise
Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë për Krime të Rënda, i cili është regjistruar në dt.21.04.2015, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Rasim Doda, në një çështje civile, ka kontaktuar me njërën prej palëve një ditë para dhënies së një vendimi civil që po e gjykonte ai dhe, në këmbim të vendimit në favor të kësaj pale, dyshohet se i ka kërkuar një shumë të konsiderueshme parash. Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare, i ka vënë në dispozicion palës dispozitivin e vendimit, i cili do të ishte në favor të tij.

Pala e kontaktuar nga gjyqtari ka kuptuar shumën që kërkonte gjyqtari për dhënien e këtij vendimi dhe i ka deklaruar se nuk mund të paguante shumën që i kërkohej. Pas këtij diskutimi, gjyqtari dhe personi që përfaqësonte njërën palë janë ndarë, pasi diskutimi ishte bërë gjatë një takimi rastësor në mbrëmjen e së dielës, datë 19.04.2015.
Të nesërmen, ditën e vendimit, pra të hënën datë 20.05.2015, gjyqtari Rasim Doda ka shpallur vendimin, duke i dhënë të drejtë palës tjetër, pra jo personit të kontaktuar një ditë më parë.

Për të provuar pretendimet e kallëzuesit, pra personi që nuk kishte pranuar të jepte shumën e kërkuar, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ekspertimin e kompjuterit të gjyqtarit Rasim Doda. Sipas aktit të ekspertimit teknik-kompiuterik është konkluduar se : Në njësinë kompiuterike të sekuestruar gjyqtarit Rasim Doda, nga të dhënat e fshira, u rikuperua një dokument i tipit Microsoft Ëord, ku pjesa e fundit e tij është identike me dokumentin objekt ekspertimi (fleta format A4 me përmbajtje dispozitivin në favor të kallëzuesit).

Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se gjyqtari ka konsumuar elementët e veprës penale « Korrupsioni pasiv i gjyqtarit…. » dhe ka nxjerrë urdhërin e ndalimit në dt. 05.06.2015, i cili është ekzekutuar brenda të njëjtës datë. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)