Një qytetar u përplas me militantët demokratë te Ministria e Arsimit, pasi thirri “Rama në burg, Berisha në burg”. Përplasja zgjati disa minuta dhe një prej tyre e goditi edhe fizikisht.

Gjatë debatit, një person e pyeti qytetarin nëse kishte marrë para për të ardhur në protestë.

“Asnjë lek. Nuk jam me asnjë parti, kam votuar PD-në”, u përgjigj ai, por thirrja “Berisha në burg” irritoi një demokrat. Ai e sulmoi fizikisht qytetarin në fjalë, i cili në rrjetet sociale identifikohet si “Bonat Bonati”.

“Jo Berisha, vetëm Rama”, thotë militanti demokrat, ndërsa shëpërthen edhe në ofendime ndaj qytetarit pasi e goditi.

Qytetari iu përgjigj shkurt: “Të dy”. Pas përplasjes, qytetari tha se kishte mbështetur PD-në deri në vitin 2025 dhe se nuk kishte qenë kurrë anëtar i ndonjë partie.

“Të gjithë në burg, se të gjithë na kanë vjedhur”, tha ai.

Dy persona që ishin parë edhe në protestat e “Flamingove” ndërhynë për të qetësuar situatën dhe e shoqëruan qytetarin jashtë turmës.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Protestuesit refuzojnë sërish PD, përplasen fizikisht me militantët demokratë: Berisha në burg, poshtë komunistët