Me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, në Tiranë do të organizohet një koncert festiv me titullin “Better Together”, i cili do të zhvillohet mbrëmjen e së premtes në Qendrën Kulturore të Kishës Ortodokse, duke sjellë një atmosferë reflektimi, arti dhe mesazhi ndërkombëtar.
Ky aktivitet do të jetë pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe do të bashkojë artistë shqiptarë dhe të huaj në një program shumëdimensional me muzikë, poezi dhe performanca të fjalës së lirë, kushtuar vlerave universale të paqes, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit global.
Koncerti “Better Together” do të përfshijë pjesë nga autorë ndërkombëtarë si Bob Dylan, Edgar Albert Guest dhe John Lennon, të ndërthurura me elementë të muzikës tradicionale shqiptare dhe artistëve të rinj, duke sjellë në skenë një udhëtim të rrallë artistik që tejkalon gjuhët dhe kufijtë.
Me pesë temat qendrore - Paqja dhe Jo Dhuna, Të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësia, Dinjiteti dhe Barazia, Solidariteti Global dhe Shpresa për Gjeneratat e Ardhshme – koncerti do të jetë një ftesë për reflektim dhe bashkëpunim në frymën e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Aktiviteti vjen në vijim të një serie ngjarjesh kulturore që po zhvillohen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare. Menjëherë pas këtij eventi, në datën 28 Tetor 2025, do të nisë Java Kulturore Austriake, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke sjellë koncerte, ekspozita dhe aktivitete të tjera kulturore që do të pasurojnë më tej kalendarin artistik të kryeqytetit.
Komente










