Tiranë- Ka tentuar t'i japë ryshfet 2000 mijë lekë të reja punonjësit të policisë rrugore për të shmangur testin e alkoolit, por ka rënë në pranga drejtuesi i automjetit.  
 
Një ditë më parë, në rrugën "Dervish Hima" në Tiranë, shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, bënë të mundur arrestimin në flagrancë të O. V. 27 vjeç, banues Durrës.
 
Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë Rrugore për të kryer një test alkooli.
 
Orgers Vezi, ka tentuar t'i japë 2000 lekë punonjësit të Policisë, për t'ju shmangur testit të alkoolit.
 
Pas kontrollit të ushtruar me aparatin Drager, drejtuesi i mjetit ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit, në masën 0.95 mg/l.
 
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale "Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt", parashikuar nga Nenet 244 dhe 291 të Kodit Penal. 

Policia ka publikuar edhe videon e arrestimit të 27 vjeçarit, ndërsa në pamje duken edhe kartmonedhat që i riu i dha punonjësit të Policisë Rrugore. 

Ai e pranon se ka konsumuar alkool, ndërsa bashkë me lejen e drejtimit të mjetit, policit i jep edhe 2000 mijë lekë të reja. 

Në këtë moment, punonjësi i policisë rrugore njofton patrullën dhe brenda pak minutave, 27-vjeçarit i vihen prangat për konsumim alkooli dhe dhënie ryshfeti.