Kryeministri Edi Rama theksoi se në administratën publike duhet të vlerësohen dhe promovohen punonjësit mbi bazën e meritës, jo të lidhjeve apo mbështetjes që mund të kenë. Sipas tij, rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës nuk mjaftojnë nëse ata që punojnë mirë nuk kanë mundësi të përparojnë në karrierë, ndryshe nga ata që punojnë më pak, por që, siç u shpreh ai, i kanë “krahët e ngrohtë”.
"Një pagë më e mirë dhe kushte më të mira pune nuk e zgjidhin vetvetiu problemin themelor: meritën. E kemi dëgjuar dhe dëgjojmë gjithmonë e më shpesh, është bërë në një farë mënyre dhe si një trend në një bisedë të gjerë publike se “ku është merita, s'ka meritë, s'vlerësohet njeriu sipas meritës” dhe ky dëgjim është i rëndësishëm, edhe pse jo e gjitha është e zezë ashtu sikundër jo e gjitha është e bardhë. Ka shumë më tepër nuanca brenda këtij vlerësimi, por jemi të vetëdijshëm.
Mund t'i paguash më mirë njerëzit dhe përsëri mos arrish të dallosh atë që punon shkëlqyeshëm nga ai që bën minimumin. Dhe këtë dallim nuk duhet ta lëmë dhe nuk do ta lëmë në dorën e një drejtuesi apo një drejtuesi tjetër. Ky dallim duhet të bëhet sistemik. Mund të investosh në trajnime dhe përsëri të mos i hapësh rrugë atij që ka treguar se është i aftë të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe përsëri këtë aftësi për të marrë përgjegjësi më të mëdha, duhet ta lexojë sistemi. Jo thjesht ta kuptojë ose jo personi, ai që është mbi ty. Ne mund të ndryshojmë sa të duam procedura, mund të krijojmë edhe sisteme të reja, mund të bëjmë edhe 100 rregullore të tjera. Nëse në fund njeriu që punon më mirë, nuk ka më shumë mundësi të ecë përpara sesa ai që punon më pak ose nuk punon fare dhe thotë “i kam krahët e ngrohtë”, atëherë nuk kemi ndryshuar atë që është tani sfida të ndryshojmë dhe këtu merr rëndësinë e vet themelore ‘’Shkalla e Meritës’", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama për administratën: Provim kombëtar unik sipas modelit të Cambridge, emërime e promovime sipas ‘Shkallës së Meritës’! Edhe regjistër talentesh







