​Akademia mbrohet me Dritëroin
"Ja amaneti i tij i fundit për ne"

​Akademia mbrohet me Dritëroin<br />
Akademia e Shkencave ka zgjedhur fjalët e fundit të Dritëro Agollit për t’iu përgjigjur debateve të fundit, në të cilat është pëfshirë institucioni.
 
Debatet nisën pas rizgjedhjes të dy krerëve të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj dhe Muzafer Korkuti në dy poste kyçe kryetar dhe nënkryetar të institucionit.
 
Në këto debate është përfshirë edhe vetë kryeministri Edi Rama, ku ka deklaruar heqjen e buxhetit në rast se Akademia nuk reformohet.
 
Për t’iu dhënë një përgjigje debateve, Akademia e Shkencave pas zgjedhjes se kryetarit ka preferuar të botojë amanetin e fundit të Dritëro Agollit, shoqëruar me komentin amaneti i fundit i akademikut Dritero Agolli për Akademinë e Shkencave.
 
“Akademia e shkencave nuk është çështje qeveritare, ajo është çështje kombëtare”.
 
Letra e plotë e Dritëro Agollit

Akademia e Shkencave është një institucion që duhet të forcohet, jo të dobësohet. Është e gabuar të mendohet se Akademia jonë është një trashëgimi e së shkuarës. Ajo u themelua nga dijetarë të mëdhenj, që ishin formuar në universitete me emër.
Akademia e Shkencave gjithnjë ka pasur njerëz të zotë, të ditur e të mençëm. Çdo diskutim, çdo reformë, është me vend vetëm nëse merret për ta bërë Akademinë e Shkencave më të mirë, më të suksesshme. Shihni çfarë po bëjnë vendet fqinje.
A po e dobësojnë apo po e fuqizojnë akademinë e tyre të shkencave maqedonasit, grekët, serbët, malazezët? Edhe Kosova po e fuqizon akademinë e vet dhe mirë bën.

Popujt që nuk e kanë bërë ende të njohur plotësisht veten në Europë e në botë akademitë detyrimisht duhet t’i ruajnë e t’i forcojnë. Po të më pyesnin mua, unë do të thoja se Akademia e Shkencave jo vetëm duhet të bëhet më e suksesshme, por duhet ngarkuar me detyra.

Ka shumë pyetje të cilave qeveria nuk mund t’u japë vetë përgjigje.

Atëherë kujt do t’ia kërkojë përgjigjen?

Reforma është çështje mendimi dhe projekti, jo çështje numrash. Unë besoj se Akademia e Shkencave ka njerëz me mend që mund ta bëjnë vetë reformën, prandaj duhen dëgjuar si thonë ata, sepse ata e dinë më mirë si mund të ndryshojë gjendja dhe si mund të jetë më e dobishme për vendin. Duhet një reformë që të kemi një akademi më dinjitoze. Dhe kur them kështu kuptoj se Akademia është mpakur e rrudhur më shumë për shkak të qendrimeve të pamençme në reformat politike, se për fajin e vet. Sigurisht Akademia duhet të lëvizë, duhet të bëhet më e gjallë, më energjike, por më parë të bëjmë pyetjen pse nuk është ashtu si e duam.

Pse është zvogëluar Akademia jonë?
 
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë