​Armando Prenga lë mandatin
e deputetit:Dua qetësi familjare

​Armando Prenga lë mandatin<br />e deputetit:Dua qetësi familjare
TIRANË-Armando Prenga dorëzon mandatin e deputetit. 

Këtë të hënë, deputeti socialist hoqi dorë nga mandati i deputetit duke ia bërë të ditur me anë të një letre Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Prenga bën të ditur se motivi i dorëheqjes nuk janë sulmet e opozitës ndaj tij, por familja. “E bëj për qetësinë familjare”, shprehet ai duke theksuar se nuk rrezikohej as nga ligji i Dekriminalizimit.

 Letra drejtuar Metes mban datën 25 Shkurt, por vendimi zyrtar u bë i ditur sot.

Letra e dorëheqjes e Armando Prengës

I nderuar, z Kryetar
Duke ju shprehur konsideratën dhe falënderimet për bashkëpunimin e deritanishëm, më lejoni që nëpërmjet kësa letre të paraqes dorëheqjen time nga mandati i deputetit të partisë “Socialiste”, në Qarkun Lezhë.

Kjo kërkesë është mbështetur në përcaktimet e nenit, 71, pika 2, germa ‘b’ e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas së cilës mandati i deputetit mbaron, ndër të tjera, dhe kur deputeti heq dorë prej tij.

Bazuar në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se në rast të ndërprerjes së mandatit të deputetit, Kuvendi njofton KQZ për krijimin e vakancës, lutemi nga ana juaj vënien e procedurave për këtë qëllim.


Por, dëshiroj t’ju informoj ju z Kryetar, por edhe opinionin publik se, ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon ndërprerje të mandatit të të zgjedhurve, për një dënim me gjobë, siç është dhe rasti im. Por, për qetësinë time dhe të familjes sime, deklaroj si më sipër se, heq dorë, sot dhe gjithmonë, nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më kanë ngarkuar.
Së fundmi, i konsideroj të drejta, të padrejta dhe shpifje të ulëta akuzat politike të opozitës dhe personale të autorizuar prej tyre.

Me respekt
Armando Prenga


letra
(Letra e Prengës drejtuar kryetarit të Kuvendit, Meta)

Armando Prenga, i lindur në Laç më 26 qershor 1974 është zgjedhur deputet për Qarkun e Lezhës në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Ai është diplomuar për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e juristit në një aktivitet privat. Armando Prenga  ishte dhe anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

Por deputeti laçian u përfol jo pak në politikë, jo vetëm për dekriminalizimin sesa për disa ngjarje, vulën në të cilat e vuri me grushte, rripin e pantallonave apo me armë.

Ja bëmat e Prengës në politikë, nga grushti Palokes, rrahja me rrip e Strazimirit e perplasja per Lagunen

Pak kohë pasi socialistët u rikthyen në Parlamentin e zgjedhur në 2009, ndërsa deputeti “luftarak” Edi Paloka, po përplasej si zakonisht verbalisht me kolegët e opozitës së asaj kohe, Armando Prenga, u ngrit nga vendi iu afrua kolegut të qarkut Lezhë dhe e qëlloi me një grusht të thatë poshtë mjekrës. Kjo ishte vula e parë politike e deputetit socialist të Laçit, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

Bëma tjetër shënon më 24 maj, 2014 në Komisionin e Ligjeve ku Socialisti Qefalia i ka kërkuar Strazimirit të mos i përmend më emrin, por ai i është përgjigjur me shuplakë ndërsa Qefalia ia ka kthyer me grusht. Pas kësaj kolegu i majt i Qefalisë, Armando Prenga ka përfunduar duke rrahur me rripin e tij të pantallonave Strazimirin, të cilin mësohet se e ka shtrirë në tokë.

Por një vit më pas, në vitin 2015, Prenga përplaset me fisin Cala për Lagunën e Patokut. Pasi rezultoi se Prenga kishte qëlluar me armë, deputeti u arrestua dhe iu hoq dhe imuniteti nga Parlamenti pasi cështja kaloi në hetim.

Dekriminalizimi,italianët: Armando Prenga ka përdorur shtatë emra
Më 19 shkurt, 1 javë para se Prenga të dërgonte lerën e dorëheqjes, publike u bë nga prokuroria, përgjigja e autoriteteve italiane mbi Armando Prengën dhe aktivitetin e tij në kohën kur ka qenë në Itali.
Autoritetet e drejtësisë italiane njoftojnë Prokurorinë shqiptare se shtetasit Prenga Mondi lindur më 26 qershor 1974 i skeduar nga kuestura e Milanos më datë 21 gusht 1996 rezulton i regjistruar me të dhëna dhe foto edhe me gjeneralitetet Ardian Ndoka, Mond Gjoni, Gjoni Don, Arjan Ndoci, Arjan Ndoc, Arjan Noci, Mondi Prenga. 

Basha: Nuk ka Vetting me Prenga
Një ditë më parë, në protestën e PD, kryetari i opozitës Lullzim Basha u shpreh se nuk do pranonte kurrsesi të hidhte qoftë dhe një hap për Reformën në Drejtësi kur në politikë janë persona si Armando Prenga e Elvis Rroshi.

Lezhë, shteron lista e PS, mandati i kalon LSI
Partia Socialiste nuk ka më emra në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut të Lezhës.
 
Dorëzimi i mandatit nga Armando Prenga bën që socialistët të mos kenë më emra nga radhët e tyre.
 
Kjo pasi, i fundit në listën e kandidatëve të PS, Kastriot Piroli, rezulton i dënuar me vendim gjykate për korrupsion, çka bën që ai të preket direkt nga ligji i dekriminalizimit.
 
Në këto kushte, mandati i Armando Prengës do t'i kalojë kandidates së LSI, Erisi Zaimi.
 
PS ka listuar 7 emra në këtë qark, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. Kur Kodheli u bë ministre, dorëzoi mandatin, të cilin e mori i treti në listë, Arben Ndoka. Ky i fundit u dorëhoq prej akuzave të bëra ndaj tij për problemet e së shkuarës dhe mandati i kaloi Eduard Ndocajt.
 
Emri tjetër, Ndrec Dedaj u bë kryetar i bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit.
 
Por edhe ky person rrezikon të mos e marrë mandatin. Ai është gjykuar dhe dënuar të paktën nga një shkallë e gjyqësorit për shpërdorim detyre pasi ka qenë drejtor i Hipotekës së Kurbinit, madje ka bërë edhe dy muaj burg për këtë çështje. 

Redaksia Online
(d.b/l.q/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

A do të ndalohet TikTok në SHBA? Trump: Ndoshta duhet ta mbajmë edhe pak kohë rrotull

A do të ndalohet TikTok në SHBA? Trump: Ndoshta duhet ta mbajmë edhe pak kohë rrotull