​Buxheti i vitit 2016, Vasili: Kemi
kritika, s'do kushtëzojmë me votë

​Buxheti i vitit 2016, Vasili: Kemi<br />kritika, s'do kushtëzojmë me votë
TIRANE - Ndonëse do të mbështes me votë pro projektbuxhetin e vitit 2016, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ndalet së sugjeruari që ai të jetë sa i qëndrueshëm dhe efikas. Petrit Vasili, kreu i grupit të LSI-së tha se, pavarësisht kritikave që ky projektbuxhet mori në komisionet parlamentare, sidomos për shëndetësinë, LSI nuk do ta kushtëzojë votën e saj.

"Së pari, ne kemi mbështetur dhe mbështesim projektbuxhetin e qeverisë. Dhe të premten do të kemi mundësinë që të diskutojmë në parim këtë projektbuxhet, si i projekton financat e shtetit ky buxhet për vitin 2016, i cili është një vit i rëndësishëm i qeverisjes dhe se si ky garanton qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe të ekuilibrave makro-ekonomikë. Që në vështrimin paraprak, besoj që edhe në drejtim të qëndrueshmërisë, edhe të ekuilibrave makro-ekonomik, buxheti jep përgjigje pozitive. Besoj se ky është një nga elementët shumë të rëndësishëm, pasi Shqipëria lëviz nga një moment shumë i rëndësishëm ku ajo trashëgonte borxhe të mëdha dhe paqëndrueshmëri ekonomike dhe futet në një hulli të qëndrueshmërisë ekonomike, që mundëson pastaj dhe një rritje ekonomike, por njëkohësisht edhe një klimë më atraktive për tërheqjen e bizneseve. Ky është diskutimi në parim. Më pas do të jetë diskutimi nen për nen. Ne kemi pasur diskutimet tona, komentet tona. Nuk është çështje kundërshtie, por komentet tona kanë konsistuar në përmirësime të mundshme të cilat mendojmë se qeveria duhet t’i vlerësojë duke parë sigurisht dhe mirëkuptuar edhe ato kufizime apo shtrëngesa që vijnë edhe nga marrëveshja me FMN. Edhe kjo duhet marrë fort në konsideratë pasi marrëveshja me FMN është një marrëdhënie strategjike. Ne kemi bërë komentet tona të cilat kanë të bëjnë në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës së buxhetit në momente të caktuara, në mënyrë të veçantë çështja e akcizës së birrës që kishte të bënte me një element parimor që është mbrojtja e prodhimit vendas.

Personalisht e kam përkthyer, jo thjesht si një mbrojtje të biznesit vendas, por mbrojtje e disa mijëra vende pune që lidhen me ecurinë e këtij biznesi, i cili në rast se do të hynte në krizë apo fatkeqësisht do të falimentonte, do të thoshte që mijëra njerëz shkonin në shtëpi. Ne si forcë politike dhe mua si politikan më ka shqetësuar në radhë të parë kjo tronditje sociale që do të vinte nga papunësia se sa thjesht e vetëm ekzistenca e një biznesi apo fitimet që mund të realizonte ky biznes. Shëndetësia është vend i një debati të përhershëm. Është shumë mirë që ka debat. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që për shëndetësinë të mos ketë pasur debat në vite të tëra. Kjo ka ndodhur edhe kur e majta ka drejtuar, edhe kur e djathta ka drejtuar, edhe kur përsëri e majta ka drejtuar.

Në fund të fundit një gjë është fakt, që buxhetet e shëndetësisë kanë nevojë të jenë gjithmonë e më të mëdhenj. Dihen edhe shtrëngesat që ka buxheti, pamundësitë objektive që buxheti ka për të arritur nivelet optimale. Por sugjerimet janë edhe për një shpërndarje më të ekuilibruar, për të qenë vende-vende edhe më konkret dhe më realist apo për diçka që mund të bëhet nesër të bëhet nesër dhe diçka që mund të bëhet sot mund të bëhet sot. Por besoj se këto janë dhe të karakterit teknik. Sigurisht konstruktiv dhe dashamirës brenda atyre kornizave që buxheti imponon. Në të gjitha rastet ne do të sugjerojmë dhe do të jemi këmbëngulës që të ketë reflektime, sigurisht palëvizur thelbin e projektbuxhetit dhe duke e mbështetur projektbuxhetin së bashku dhe me anekset e tij që kanë të bëjnë me pjesën e zbërthyer të neneve përkatëse. Çdo përmirësim që lind nga debati parlamentar do jetë i mirëpritur, por nuk është ky një kushti i cili kushtëzon votën tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Vota jonë do të jetë në mbështetje të projektbuxhetit i cili bëhet një ligj tashmë operativ për vitin 2016",
tha Vasili.

Por në në lidhje me borxhin që ka Shqipëria, Petrit Vasili u shpreh se ai monitorohet nga ndërkombëtarët dhe për këtë duhet tu besohet atyre. 

"Kam vetëm këtë pozicionim lidhur me këtë çështje. Çështja e borxhit shqiptar në të shkuarën dhe të tashmen ka qenë nën monitorimin e vazhdueshëm të institucioneve ndërkombëtare. Dhe unë bëhem shumë i vëmendshëm, reflektues nga ana politike, por dhe jo vetëm, në rast se nga institucionet ndërkombëtare, të cilat janë ato vlerësueset e kësaj çështje, ngrenë një preokupacion me borxhin. Në rast se ata mendojnë që ky nivel borxhi nuk e ç’ekuilibron ekonominë shqiptare unë jam i prirur të dëgjoj dhe të besoj ata. Pjesët e tjera janë pjesë të komentit politik të cilët nuk kam vokacionin e një ekonomisti, as të zot e as të pazot, se nuk është ekonomia zanati im. Por në qoftë se raportet FMN apo Bankës Botërore etj, japin alarmin se borxhi është i tillë kritik, unë dhe gjithë LSI-ja apo e gjithë mazhoranca në mënyrë të përgjegjshme do të mblidhej dhe do të diskutonte gjerësisht për këtë çështje. Në rast se ata thonë në këtë mënyrë si e kemi ideuar mënyrën e ecjes përpara të ekonomisë, ky borxh është një borxh i cili është i administrueshëm, ka mundësi të ulet me kalimin e kohës, ekonomia do të jetë më e qëndrueshme, atëherë le të kemi besim të plotë tek ata", tha numri dy i LSI-së.

I pyetur për artikulimet mbi ndërhyrjet në kodin zgjedhor sidomos për sistemin Prim numri dy i LSI ka dalë kundër duke thënë se OSBE i ka dhënë sugjerimet e saj.

"Së pari, për t’i vënë punët drejtë, unë e kam të pamundur të komentoj mbi hamendje. Sot në publik lidhur me këtë çështje që ju diskutoni ka një qëndrim shumë të qartë, të prerë të Kryeministrit Rama, i cili përgënjeshtron, i cili të ketë diskutuar dhe të flas për këtë gjë, dhe për të njëjtin pozicion ka edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha. Ndërkohë, Kodi Zgjedhor, apo çështjet e zgjedhjeve kanë një plan detyrash shumë të qarta dhe të rëndësishme të lënë nga OSBE-ODIHR, detyrim për politikën shqiptare për t’i përmbushur në mënyrë që zgjedhjet të janë sa më afër një standardi sa më të mirë pranuar dhe demokratik. Tani përsa kohë kemi detyra të qarta, të bashkëndara nga gjithë politika shqiptare që duhen zbatuar, ne përkundrejt hamendjeve, ideve, supozimeve kemi këtë plan konkret. Ju e dini që kemi qëndrim politik, kemi qenë forca politike e parë, e cila është prononcuar publikisht që duhet të fillojmë sa më parë punën për të shëruar këtë plagë, që zgjedhjet tona kanë marrë në procesin e fundit zgjedhor, sepse OSBE-ODIHR na thotë qartë në rast se ju reflektoni për këto çështje që ne kemi listuar, ju do të keni zgjedhjet që duhen me standardin më të lartë të mundshëm. E kemi detyrën përpara, të gjithë së bashku hajde t’i futemi ta zbatojmë", u shpreh kreu i grupit të LSI.

LSI po ashtu do të japë mbështetjen e saj edhe për projektligje të tjera të cilat do të votohen në seancën e ditës së enjte por që kërkojnë 84 vota siç janë ndërhyrjet në kodin penal në kuadër të informalitetit. 

Sa i takon fushatës që ka nisur Partia Socialiste ne kuader te kongresit qe do te mbahet ne janar, por edhe zgjedhjeve te ardhshme, LSI u pyet nese do te zhvilloje edhe ajo fushata ne kuader te zgjedhjeve. 

"Unë nuk kam komentuar dhe nuk komentoj asnjëherë as strategjinë politike, as veprimet politike të asnjë force politike tjetër përveç LSI-së. Dhe këtë sigurisht do ta vazhdoj ta bëj, sepse nuk është korrekte çfarëdolloj komenti, sepse askush nuk ka të drejtë dhe është tërësisht jashtë të drejtës së tij politik të komentojë mënyrën se si e ndërton një forcë politike veprimin e saj. Po ju e dini që PS ka një impenjim politik, që ka kongresin e saj politik përpara dhe besoj se e gjithë veprimtaria është e lidhur dhe me një aksion të rëndësishëm për të siç është mbajtja e kongresit ku ajo rinovon, të paktën kjo është bërë publike, të gjitha forumet e saja duke filluar nga kryetari i partisë deri tek rifreskimi dhe ky proces politik në çdo forcë politike paraprihet sigurisht me takime. Ju e dini takimet kanë qenë, jo takime thjeshtë me popullin, kanë qenë takime kryesisht me struktura të Partisë Socialiste. Besoj se ne nuk jetojmë mbi ngjashmëritë e njëri-tjetrit. Besojmë tek individualitete e spikatura, që secili ka dhe që janë komplementare me njëri tjetrin", dekalroi Vasili.


Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu