Me anë të një statusi në facebook, Basha e cilëson si një të vërtetë të hidhur.
“Trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar”, shkruan Basha.
Ai shton më tej se kjo faktohet edhe me promovimin e Gramoz Ruçit, ndërsa e akuzon se po mashtron edhe ndërkombëtarët.
Sasia e drogës u kap në San Benedeto, Itali nga Guardia di Finanza, ku u arrestuan dy persona, mes tyre një 63 vjeçar italian dhe një 24 vjeçar shqiptar.
Postimi i plotë i Bashës në facebook:
Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion.
Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Rucit të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë.
(Postimi i Bashës në facebook)
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com