Partia Demokratike e degës së Durrësit ka protestuar paraditen e sotme para bashkisë, duke kërkuar dorëheqjen e Vangjush Dakos.
 
Shkak i protestës së PD është bërë referenca e Dakos për Lulzim Berishën në pritje të lirimit nga burgu. Ata bllokuan hyrjen kryesore të bashkisë për 30 minuta duke vendosur një shirit që ndalonte daljen apo hyrjen në këtë institucion.
 
Deputeti i PD, njëkohësisht kryetari i kësaj force në Durrës Oerd Bylykbashi tha se Dako së bashku me Ramën po nxjerrin kriminelë nga burgu në kohën që po lobohet fort për dekriminalizimin.
 
Menjëherë ka reaguar kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i cili tha se ndjen keqardhje për ata të cilët ai i quajti çetë e shpartalluar e SHQUP-it.
 
“Në vend që të shkojnë të protestojnë tek Gjykata Kushtetuese për të nxjerrë pa humbur kohë vendimin për Vettingun, trimat e SHQUP-it vijnë si një çetë e shpartalluar përpara bashkisë për të hedhur baltë mbi mua. Por balta e tyre vetëm më nderon dhe më motivon më shumë në betejën tonë me ta. Ne jemi e ardhmja, ata janë vetëm e shkuara”, u shpreh Dako. 

[gallery]20212[/gallery]

Redaksia Online
m.d/Shqiptarja.com