Autoriteti Kombëtar i ushqimit ka kryer një sërë inspektimesh për sigurinë ushqime gjatë këtij sezoni veror.

AKU bën me dije se janë kryer 2998 inspektine gjatë kësaj vere, ndërsa njofton se ka nisur aksioni për monitorimin e fast-foodeve pranë të gjitha institucioneve arsimore në vend. 

Njoftimi i plotë i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë periudhës 1 qershor -31 gusht 2017, në kuadër të sezonit turistik veror ka kryer në rang vendi 2998 inspektime, bazuar në Urdhrin Nr.33, datë 29.03.2017 të Kryeministrit “Për miratimin e planit të masave përgatitore për sezonin turistik veror për vitin 2017 dhe për krijimin e Task Forcës së menaxhimit të sezonit turistik”, si dhe urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së Nr.1438/1, date 03.04.2017 “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e planit të masave për Sezonin Turistik Veror për Vitin 2017” dhe urdhrin Nr. 1438 /2, datë 05.04.2017 për “Inspektimin e operatorëve të biznesit ushqimor të cilët prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore (bare, restorante, fast-foode, pastiçeri, supermarkete, minimarkete, njësi prodhimi dhe tregtimi akullore)”.
Gjatë inspektimeve, janë dhënë edhe këshillime, ndërkohë për mangësitë e konstatuara nga trupat inspektuese të AKU-së janë marrë këto masa administrative:
928 Paralajmërime bazuar në Ligjin “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” neni 48 “konstatim shkelje e kërkesave ligjore, që përbën kundërvajtje administrative, por që është e një rëndësie të vogël, apo për të cilën ligji i posaçëm nuk parashikon dënimin përkatës administrativ (Gjobë ose Ndërprerje aktiviteti), subjekti i inspektimit dënohet me “paralajmërim”, për mangësitë e konstatuara: mungesë e librezave shëndetësore, mungesë e planit D.D.D, mungesë e dokumentacionit shoqërues, mungesë e analizës së ujit,etj.
20 Gjoba me vlerë 2080000 lekë, bazuar në Ligjin Nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin” i ndryshuar, neni 68, për shkeljet që parashikojnë masën administrative gjobë: “Mungesë e kushteve higjieno-sanitare, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, mangësi të etiketimit të produkteve ushqimore, ushqime të pa sigurta, pengim të kryerjes së inspektimit, moskorrigjim të mangësive”.
3 Bllokim/asgjësime produkteshpër mangësitë e konstatuara: “Ushqime të pasigurta për konsum”, në sasinë 0,21 ton.
8 Ndërprerje aktiviteti ne rastet kur është cënuar rëndë siguria ushqimore, bazuar në Ligjin “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, referuar neni 43 merret masa urgjente ”ndërprerja e aktivitetit”, për mangësitë e konstatuara në lidhje me kushtet higjieno-sanitare dhe tregtim produkti të pasigurt.
Gjatë kësaj periudhe janë analizuar në rang vendi: 385 matje të Komponentëve të Përgjithshëm Polarë të vajit të përdorur për skuqje (KPP), 61 mostra (28 fiziko-kimike dhe 33 mikrobologjike) të analizuara pranë laboratorëve të Drejtorive Rajonale të AKU-së dhe ISUV.
Gjithashtu Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së, Nr. 3668 datë 11.09.2017 “Për monitorimin e operatorëve të biznesit ushqimor (Fast-Food) që ushtrojnë aktivitetin pranë institucioneve arsimore” ka nisur nga dita e sotme, monitorimin në të gjitha pikat e fast-foodeve pranë institucioneve arsimore në të gjithë vendin ( çerdhe, kopshte shkolla), për të garantuar sigurinë ushqimore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje konsumatorëve shqiptarë që, për çdo shqetësim në lidhje me sigurinë ushqimore të denoncojnë pranë portalit online “Inspektori Dixhital” dhe emailit: [email protected].

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com