Skenari përsëritet: Trump shpall dhe kërcënon, duke shpresuar të vulosë me fjalë një fitore që ende nuk është arritur në terren. Ndërsa Irani e mohon, frenon dhe sqaron. Kjo ndodhi edhe dje, kur presidenti amerikan foli për një marrëveshje bërthamore sikur ajo të ishte tashmë e përfunduar, për uraniumin e pasuruar që “do të shkatërrohet” dhe për ngushticën e Hormuzit që “do të rihapet pa kushte”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, nuk pati nevojë as të mendonte gjatë për përgjigjen. Ai përsëriti atë që zyrtarët iranianë kanë thënë prej javësh: “Në këtë fazë, përparësia jonë është t’i japim fund luftës dhe nuk po zhvillohen negociata për çështjen bërthamore. Nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare.”

Irani duket se nuk ka me të shpejtë. Jo sepse nuk ka nevojë të kthehet në normalitet dhe të rindërtojë një vend të shkatërruar, me ekonominë e paralizuar dhe me mbi 270 miliardë dëme të shkaktuara nga lufta. As sepse disa prej kushteve të marrëveshjes paraprake nuk janë sqaruar ende plotësisht, ndër të cilat edhe mosmarrëveshja për paratë – iranianët kërkojnë që t’u kthehet menjëherë një pjesë e miliardave të dollarëve iranianë të ngrirë jashtë vendit – si dhe përfundimi i luftës edhe në Liban, dy çështje që Trump nuk i përmendi fare.

Irani nuk e ka me të shpejtë sepse nuk i beson kësaj administrate amerikane dhe druhet se marrëveshja e përkohshme nuk do ta largojë realisht rrezikun e një lufte të re, por përkundrazi mund ta përkeqësojë atë. Nëse Trump do të arrinte vërtet të shkatërronte uraniumin tashmë të pasuruar, kush do ta pengonte atë të sulmonte sërish Iranin, i cili në atë moment do të ishte edhe më i dobësuar, pa frikën që do të shkaktonte mundësia e një arme bërthamore në dispozicion?

E njëjta logjikë vlen edhe për ngushticën e Hormuzit. Rihapja e saj nuk është në diskutim; statusi i kanalit është objekti i vërtetë i përplasjes. Republika Islamike nuk është e pandjeshme ndaj presioneve ndërkombëtare, të cilat vijnë edhe nga vende mike si Kina, për të garantuar lirinë e lundrimit. Ajo e di se duhet ta rihapë ngushticën, para së gjithash për interesat e saj tregtare. Por vështirë se do të heqë dorë nga kontrolli mbi këtë rrugë detare, e cila është dëshmuar si mjeti i saj kryesor i frenimit strategjik.

Po ashtu, një rol të ngjashëm luajnë edhe aleatët e saj jemenas, Houthit, të cilët, nëse do të vendosnin, do të mund të bllokonin edhe ngushticën e Bab el-Mandebit, duke tronditur tregun global të energjisë.

Nga këndvështrimi i Teheranit, horizonti i negociatave me amerikanët është i shkurtër dhe i pasigurt. Ai nuk e largon hijen e luftës dhe duhet menaxhuar me shumë kujdes, duke iu përgjigjur vetëm veprimeve konkrete.

Nuk fitojmë lëshime përmes dialogut, por përmes raketave. Nuk kemi asnjë besim te garancitë dhe te fjalët; kriteri i vetëm është sjellja. Nuk do të ndërmerret asnjë hap përpara se pala tjetër të bëjë të vetin”, deklaroi kryenegociatori dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Ghalibaf, duke shpjeguar logjikën me të cilën Teherani po i menaxhon këto negociata:

“Fituesi i çdo marrëveshjeje është ai që, që nga dita e nesërme, përgatitet më mirë për luftën.”/La Repubblica