FIER - Dëme kolosale janë shkaktuar nga zjarret në qarkun e Fierit. Mbi 90 hektar më pyje dhe rreth 5 mijë rrënjë ullinj janë shkatërruar totalisht. 

Të tjera pemë frutore janë dëmtuar së bashku me prodhimet e stinës duke falimentuar fermerët në fshatrat e Romes, Drenovë, Belishovë dhe Gorishovë.

Zjarri që ka përfshirë këto fshatra prej dy ditësh është përhapur dhe intensifikuar mbrëmjen e së premtes. Era ka favorizuar përhapjen e flakëve duke shkrumbuar dhjetëra pisha mbi 30-vjeçare. 

Në vendin e ngjarjes shkuan 6 zjarrfikëse, forca të policisë dhe ushtrisë për të vënë nën kontroll situatën. 

Terreni i vështirë ka qenë një pengesë në misionin e zjarrfikësve, ndërsa policia ka ndaluar banorët të shkojnë në pronat e tyre për shkak të rrezikshmërisë. Drejtuesit e pyjeve hedhin dyshimet se zjarri është i qëllimshëm. 


Ditën e sotme situata paraqitet më e qetë, por ende nuk janë shuar plotësisht vatrat e zjarrit.
 
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)