32 prokurorë e gjyqtarë në garë për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do duhet të presin zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Vettingut për të parë nëse i plotësojnë apo jo kushtet.
 
Burime për Report Tv nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë sqaruan se brenda shtatë ditësh ata do të bëjnë kontrollin paraprak të dosjeve të kandidatëve e më pas do t’ia përcjellin listën e garuesve sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit.
 
Sipas ligjit për organet e drejtësisë, të gjithë garuesit për institucionet e reja do duhet t’i nënshtrohen më parë Vettingut, ligj i cili ende është pezull edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi që ai është konform standardeve.
 
Në përfundim të gjithë procesit të verifikimit, 32 kandidatët për 12 postet në KLGJ e KLP do t’i përcillen komisionit parlamentar të përbërë nga pesë anëtarë, tre deputetë të maxhorancës dhe dy deputetë të opozitës.
d.i./Shqiptarja.com