Natyra ofron një pasuri të jashtëzakonshme bimësh, të cilat përmbajnë përbërës me veti të ndryshme dhe që prej kohësh përdoren në përgatitjen e produkteve natyrale. Pisha, bredhi, eukalipti, lulebasani, xhinxheri dhe dafina janë disa prej bimëve që dallohen për përbërësit e tyre aromatikë dhe substancat aktive. Të kombinuara me vajin e bajames së ëmbël dhe vajin e ullirit, ato bëhen pjesë e një formule natyrale për masazh, e konceptuar për relaksimin e muskujve dhe artikulacioneve. Eksperti i bimëve medicinale, Ylli Merja, në Rreze Dielli në Report Tv, shpjegoi rëndësinë e këtyre bimëve, si dhe mënyrën e kombinimit të tyre në përgatitjen e disa vajrave esencialë, të cilët ndihmojnë në relaksimin e muskujve dhe artikulacioneve, si dhe për ftohjen dhe mushkëritë. Merja u ndal konkretisht te përgatitja e dy llojeve të vajrave.

Vaj për artikulacionet dhe dhimbjet e kyçeve

Përzieni specin, dafinën, gjethet e eukaliptit dhe gjethet e bredhit, 10–15 g, si dhe gjethet e pishës, deri në 10 g, të njoma. Më pas, hidhni 50 ml vaj bajamesh të egra dhe 50 ml vaj lulebasani. Këtë përzierje vendoseni në banjëmari, në temperaturë maksimale 60 gradë, që procesi të përshpejtohet. Nëse nuk përdorni këtë metodë, duhet ta lini afërsisht 35 ditë.

Vaj balsamik për ftohjen

Merrni një enë të shkallëzuar dhe hidhni deri në 50 ml vaj bajameje të ëmbël ose të egër, 50–60 ml vaj lulebasani. Përziejini dhe shtoni esencë nga vajrat e bredhit, pishës, eukaliptit dhe dafinës.

Masat e duhura:

  • Vaj lulebasani – 50 ml
  • Vaj bajameje – 50 ml
  • Vaj pishe – 0,4 ml
  • Vaj bredhi – 0,3 ml
  • Vaj eukalipti – 0,3 ml
  • Vaj dafine – 0,3 ml

Këtë përzierje mund ta përdorni:

  • Nëse keni një fëmijë të ftohur, hidhini 10–15 pika në kraharor dhe në shpinë dhe masazhojeni.
  • Nëse dëshironi ta pini, përdorni një lugë kafeje.
  • Për morthin e duarve.

Por kujdes! Paraprakisht duhet të kuptoni nëse jeni alergjikë. Për këtë, vendosni disa pika në një pjesë të trupit ku lëkura është e hollë dhe shihni nëse ju shkakton irritim.

Specialisti i bimëve mjekësore, Merja, dha edhe disa këshilla për publikun në lidhje me shqetësimet e tyre.

Një telefonues pyeti për djalin e tij, i cili konsumon duhan, sëmuret shpesh dhe, nga analizat, ka rezultuar me parazitë, por ka edhe jashtëqitje të paqëndrueshme.

Ylli Merja i dha disa këshilla për largimin e parazitëve:

“Merrni majat e rrënjëve të shegës së egër, bluajini dhe hajini me kos. Shtoni edhe thekër të shtypur, si dhe një lugë me fara kungulli ose eukalipt. Një tjetër mënyrë për të larguar parazitët është të merrni tre thelpinj hudhre, t'i bluani dhe t'i hidhni në qumësht. Pijeni në mëngjes”.

Ndërsa për të larguar duhanin, këshilloi përgatitjen e vetë duhanit te hapur duke e përzier me tërfil.

Një tjetër telefonatë që erdhi në studio ishte ajo e një zonje me probleme të refluksit dhe aciditetit të lartë. Merja këshilloi këto mënyra:

  • Çaj me rigon, ose rigon dhe borzilok, ose rigon dhe mendër. Kjo do t'ju rrudhosë pak murin e brendshëm të stomakut.
  • Molla e egër ose cipa e lëkurës ju bën shumë mirë.
  • Mëllaga, lulja e bishtamishit, veza me rigon dhe qumështi i ftohtë, ose mund ta bëni pure me banane.