TIRANE-Rreth 70 vjet burg për bandën e grabitësve që në vitin 2015 kishin kryer një sërë vjedhjesh ku më e madhja ka qenë ajo e bankës tek Rruga e Kavajës.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dënimin e Eduart Kacoli me 27 vjet burg, Alban Meshi 18 vjet burg dhe 30 vjet burg për atë që konsiderohej si kreu i bandës, Ndue Ndou. Të tre personat e lartpërmendur përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, duke ulur masën e dënimit me disa vite.

Grabitja më e bujshme ishte ajo e bankës tek Rruga e Kavajës, pranë bllokut të Ambasadave.
Gjithçka ndodhi më 20 Maj të vitit 2015 kur për 2 minuta, rreth orës 14.40, në Rrugën e Kavajës, ku 2 të rinj  kanë hyrë të armatosur në brendësi të Bankës së nivelit të dytë dhe pas kërcënimit të punonjësve, arritën të largohen me një shumë të konsiderueshme parash.

Grabitja nisi me goditjen që i është bërë rojës së filialit. Pas grabitjes, dy të rinjtë u larguan ndërmjet pallateve.

Pas ngjarjes një ditë më pas në pranga ra Eduart Kacoli, 22 vjeç, Ndue Ndou, 21 vjeç, të dy nga Puka dhe banues në Tiranë. U arrestua edhe Alban Meshi, 28 vjeç, lindur në Has, banues në Tiranë.

Por përveç bankës, të tre personat e lartpërmendur u akuzuan për vjedhjen e një magazine të shtetasit I.D më 14 prill, në Vorë, grabitjen e taksistit P.J, më 12 prill, në Durrës dhe vjedhjen me armë të shtetasit V.S, më 23 prill të vitit 2015.

(d.b/Shqiptarja.com)