TIRANE- Çdo mësues do të ketë liçencën që certifikon shkallën e kapacitetit, në mënyrë që secili të punësohet sipas meritokracisë. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të raportit nga Ministria e Arsimit mbi procesin e reformimit të teksteve shkollore.

Sipas Ramës mësuesit do të kenë kartën e krediteve, ku në bazë të kësaj karte do të bëhet dhe punësimi i tyre. “Synimi ynë është të arrijmë në pikën që çdo mësues të ketë kartën e vet të krediteve, pra, licencën që certifikon shkallën e kapacitetit të çdo mësuesi.

Kjo do t’i bëjë mësuesit njëherë e përgjithmonë të paprekshëm kur janë të duhurit dhe të pamundur për të qenë mësues, kur nuk janë të duhurit. Kjo do të bëjë përfundimisht të mundur depolitizimin e plotë dhe vendosjen e meritokracisë reale në të gjithë sistemin, duke i dhënë fund edhe korrupsionit, ndaj të cilit ne kemi luftuar shumë fort, kemi bërë shumë progress”, - u shpreh Kryeministri. Sipas tij, emërimi i mësuesve do të bëhet në bazë të pikëve që do të kenë nga testimi kombëtar i cili është zhvilluar një vit më parë.

Rama ka lajmëruar se edhe këtë vit mësuesit mund të japin testin për të rritur nivelin e pikëve. “Testimi i parë kombëtar vitin e shkuar dhe çelja e portalit i ka hapur rrugë, një sistemi automatik, bazuar mbi rezultatet. Testimi do të kryhet në fund të çdo viti për të gjithë ata që duan të rivlerësojnë pikët e tyre, por dhe për të gjithë ata që duan të rrisin besueshmërinë e tyre.

Por ajo që është më e rëndësishme është që masat e marra dhe vënia në jetë e komisioneve të posaçme, që do të ndjekin transparencën e procesit nga testimi deri tek emërimi, për çdo emërim dhe ç’emërim, është një hap që mbyll një cikël historik dhe hap një cikël tjetër”, - theksoi kreu i qeverisë.

Tekstet
Lidhur me reformën e librave shkollorë, Kryeministri tha se mësimi do të shoqërohet me programe vizuale dhe video. “Këta libra do të shoqërohen me programe të ilustruara vizuale dhe audio dhe video. Pra, nxënësit do të kenë në dispozicion për çdo tekst, edhe pamjet, si dhe rrëfimin e asaj që shkruhet në libra, gjë që e bën shumë më prekshme dhe shumë më të kuptueshme të gjithë atë që dëgjohet nga mësuesi, thithet nga libri dhe pastaj duhet përvetësuar nga nxënësi”-tha Rama. Por për Kryeministrin nuk duhet të vlerësohen vetëm tekstet pasi sipas tij librat kanë nevojë edhe për mësuesin.
 

Nikolla: Skemë e re kualifikimi për 36 mijë mësues
 
Reforma e ardhshme në arsim do të jetë kualifikimi i mësuesve. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla gjatë prezantimit të raportit për tekstet shkollore u shpreh se deri tani janë ndërmarrë reforma të rëndësishme por sipas saj “kualifikimit i mësuesve është sfida e përbashkët dhe jemi të angazhuar ta fitojmë”.

Nikolla thekësoi se kualifikimi deri tani ka qënë një piramidë korruptive ku bliheshin kreditet. “Kualifikimi i mësuesve është, pjesë e piramidës korruptive me blerje kreditesh pa marrë asnjë ditë dije apo aftësi. Akredituar me dhjetra agjenci deri ne vitin 2017-të, por asnjë, asnjë standard cilësie qoftë edhe në një fushë të vetme për 36 mijë mësuesit në sistemin e arsimit parauniversitar.

Edhe në këtë sektor jemi angazhuar që do t’a shëmbim piramidën e gënjeshtrave, piramidën e korrupsionit dhe informalitetit dhe brenda dhjetorit do të ndërtojmë një skemë të re kualifikimi mbështetur në nevojët reale të 36 mijë mësuesve në sistemin tonë arsimor”, - u shpreh Ministrja e Arsimit.

Sipas Nikollës këtë vit shkollor, për herë të parë, nga digjitalizimi i sistemit arsimor të mesëm, përfitojnë 16 mijë nxënës të klasave të X-ta të cilët do të kenë mundësinë e përdorimit jo vetëm të laboratorëve dixhitale, por edhe të përmbajtjeve digjitale të standardeve më të mira ndërkombëtare.

Sipas do të përdoret një metodologji tjetër për përzgjedhjen e teksteve pasi edhe këtë vit ato do të kalojnë në sitën e kontrollit. Sipas Ministres së Arsimit tekste që janë kaluar dhe hedhur në sistem këtë vit për klasën e parë dhe të gjashtë nuk do të certifikohen menjëherë nga MAS por do të kalojnë edhe njëherë në sitën e një pilotimi nga gjithë mësuesit dhe prindërit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)