“Telefonata e fundit” ishte operacioni policor që shkatërroi një rrjet kokaine që vepronte në kryeqytet.

Shqiptarja.com mëson se Sokol Geci 22 vjeç nga Tropoja banues në Tiranë, Eraldo Dodaj 19 vjeç nga Mirdita dhe Pashk Teska 20 vjeç nga Laçi vepronin në zonën e Ish-Bllokut, Paskuqan, Tufinë si dhe në zonën e ‘5 Majit” ku dhe u arrestuan ditën e djeshme.

Të tre këta persona u kapën të martën në rrugën “5 Maji”, ndërsa po prisnin shkëmbimin e një sasi prej 700 gramësh kokaine.

Sipas burimeve të policisë sasia e bllokuar arrinte në vlerën e 44 mijë eurove dhe ishte përgatitur të shitej tek dy persona, përpara se të ndërhynte policia për të arrestuar poseduesit e kokainës.

Të njëjtat burime thanë se lënda narkotike ka ardhur nga Holanda, nëpërmjet grupeve të ndryshme që e sjellin në vendin tonë.

Vëzhgimi i të dyshuarve ka zbuluar se personat e shisnin kokainën tek shpërndarës më vegjël të cilit i jepnin deri në 10 gramë apo 10 doza. Më pas shpërndarësit lidheshin direkt me klientët, të cilët paguanin 10 mijë lekë të reja për një dozë kokainë e cila shkonte nga 0.3-1 gramë.

Të tre personat u arrestuan pasditen e të martës nga policia gjatë operacionit të koduar “Telefonata e fundit”.

Ditën e djeshme, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë si dhe Skuadrën Shqiponjatmundësuan arrestimin e 3 të rinjve pas informacioneve që disponoheshin nga Specialistët e Narkotikëve dhe mbajtjes nën vëzhgim prej disa ditësh të aktivitetit të tyre.

Në momentin e arrestimit, në rrugën "5 Maj", shtetasit e lartpërmendur po udhëtonin në mjetin tip "Ford", që drejtohej nga shtetasi Erald Dodaj.
Në momentin e ndalimit nga policia, shtetasi Sokol Geci, ka nxjerrë një armë zjarri dhe për pasojë shërbimet policore janë detyruar të bëjnë qitje në ajër për neutralizimin e më pas prangosjen e këtij shtetasi dhe të dy të tjerëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, në pjesën e pasagjerit, brenda kasave mbuluese të boksit të marshit në kabinën e mjetit është gjendur një qese, ku në brendësi të saj kishte lëndë të dyshuar narkotike "Kokainë", me peshë 659 gramë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
- 659 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojt Kokainë.
- 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojt Cannabis Sattiva (e gjetur në banesën e shtetasit Sokol Geçi)
- 1 armë zjarri, model 54, i tip pistoletë TT
- 1 automjet tip "Ford"
- 4 aparate telefonik të llojeve të ndryshme.

700 gr kokaine tr
700 gr kokaine tr
(Kokaina e sekuestruar)

700 gr kokaine tr
(Pistoleta e sekuestruar gjatë operacionit të policisë)


(d.b/Shqiptarja.com)