Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mori pjesë sot në një prej aksioneve masive për pastrimin e plazheve dhe parqeve natyrore të Shqipërisë që po zhvillohen në gjithë vendin nga Korpusi i Vullnetarëve.
 
Ky është një projekt i mbështetur nga MZHETTS, me synimin për të pasur një Shqipëri të pastër këtë sezon turistik, por dhe për të sensibilizuar qytetarët që pastërtia është një element kyç  për të tërhequr dhe mbajtur sa më gjatë turistët në vendin tonë.
 
“Turizmi në Shqipëri ka shënuar një bum për ekonominë e vendit, duke u bërë një kontribues shumë i rëndësishëm, jo vetëm për nga numrat mbasi përfaqëson 7% të PBB-së, por edhe nga përkushtimi që ne po tregojmë për kulturën dhe natyrën e vendit tonë, për t’ia bërë të njohur të gjithë turistëve që vijnë e vizitojnë Shqipërinë.

Dua ti bëj thirrje gjithë qytetarëve që përdorin këto atraksione por dhe Bashkive që të kenë vëmendjen ndaj pastërtisë dhe të punojnë shumë për të pasur një sezon turistik të shëndetshëm dhe shumë mikpritës për të gjithë ata që janë turistë, vendas apo të huaj.", tha Ekonomi.

Në këtë aksion mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës Z.Dritan Leli.


Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com