Përurimi i këtij Muzeu të nëndheut të diktaturës komuniste nuk është aspak rastësisht edhe pjesë e programit që ne i kemi propozuar përfaqësuesve të diasporës të mbledhur në Tiranë, përfshirë dhe atyre ndër ta që nuk kanë lindur në Shqipëri dhe as janë mëkuar me bukën, shpesh të hidhur, të historisë së këtij vendi.
Në këtë pikë, - unë e pranoj, - gjithë ata që me gjasë do hidhen, bëjnë atë që bëjnë gjithmonë dhe do të akuzojnë sot, duke thënë që Kryeministri e vendosi me qëllim këtë ngjarje gjatë Samitit, për t’ia ofruar dhe bashkatdhetarëve tanë, kanë të drejtë.
Aty ku si gjithmonë gabohen është qëllimi i kësaj ftese.
Të thirrur si dëshmitarë të përpjekjeve për të ardhmen e përbashkët, bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut s’ka sesi të mos jenë po aq dëshmitarë të historisë së vendit të tyre të prejardhjes, të çdo pjese të saj, jo vetëm të pjesës së lavdishme, por edhe të të tërës, pa dallime preferenciale, pa tokë të djegur dhe të shkretë, pa tabula rasa.
Nëse të gjithë ne nuk e gjejmë të natyrshëm motivimin apo forcën morale për të bashkëkunguar në plagët tona më të dhimbshme, nuk do e gjejmë dot as të gjithë atë shtysë të brendshme që lypset për të qenë artizanë të së ardhmes.
Në kundërshtim me ç’mund të mendojë apo, edhe më keq, të përpiqet ndokush, historia nuk riciklohet. Ajo dhe mënyra e saj e shlyerjes së borxheve, apo e larjes së hesapeve i bindet, siç do thoshte poeti i madh romak Horaci, një kodiku ligjesh prej çeliku.
Ky bunker dhe i gjithë nëndheu i tij, dikur ishte organizëm i gjallë ku gëlonin nëpunës të verbër dhe njerëz të përndjekur dhe të poshtëruar, xhelatë dhe viktima, ku frika i linte vendit fatalitetit dhe dinjiteti zvetënimit.
Nëse ligji themeltar i historisë është - siç shkruante i përkëdheluri në vuajtje dhe jetim në lumturi, Primo Levi, - të kujtohesh që gjithçka, ja, kjo pat qenë, të kujtohesh me sytë e mendjes nuk mjafton.
Shprehja e famshme dhe shpesh e përdorur ”Larg syve, larg zemrës”, në histori vjen si klithmë e shurdhët dhe e akullt. Kujtesa përmes syve dhe krejt shqisave dhe qelizave të qenies tonë është ajo që në fakt e përmbush në këtë rast, edhe misionin e syve të mendjes.
Njerëzimi, qëkurse u bë viktimë, dëshmitar, por edhe autor i akteve më të shëmtuara të kryera mbi trupin dhe shpirtin e vetvetes, ka një tendencë që të rreket shpesh që të harrojë. Shkohet dhe deri në mosbesim dhe si vijim i natyrshëm i një ikjeje komode dhe të pandalshme nga një realitet tronditës deri në mohim, në negacionizëm.
Negacionizmi është një murtajë intelektuale, e cila gjen justifikimin e saj banal, radikal dhe tamam për këtë edhe joshës për disa, me pretekstin se sytë nuk shohin.
Ka mbetur i stampuar përgjithmonë në mendje ai momenti, në fakt pak i përfolur, kur gjeneralët Ajzenhauer, Bradley dhe Montgomery, me të mbërritur në zemër të Rajhut në përpëlitjet e fundit, mblodhën afër kampit të përqendrimit dhe shfarosjes së Berkel-Belsen-it dhe Dachau-t të gjithë lulen e njeriut të ri hitlerian, pa sy për të parë dhe i vunë përballë, duke i ballafaquar, kasaphanën, për t’iu rikthyer shikimin dhe të gjitha shqisat e tjera të humbura në atë kontakt tmerrues për çdo sy të hapur njerëzor.
A mos vallë këta “vizitorë”, që gjeneralët i kthyen në dëshmitarë të detyruar, u lebetitën nga pirgjet e kufomave pa varr, apo të tjera tmerre të përshkruara me aq forcë nga një bashkëkohës si Elie Wiesel në librin “Nata”?
Ndoshta jo. Mbase me siguri jo. Ishin shumë të verbër për të parë. Por ai moment ishte fillimi i hapjes së syve përballë horrorit dhe i përpjekjes për ta rrokur dhe bartur historinë si një të tërë, pa dallime preferenciale, pa tokë të djegur dhe të shkretë dhe pa tabula rasa.
Eksperti i totalitarizmit dhe antisemitizmit, pjesëmarrës në procesin e Nurembergut, Léon Poliakov, dëshmon se përmbi gjithçka është makineria shkërmoqëse e totalitarizmit dhe e dhunës permanente që e bën makthin dhe tmerrin afatgjatë.
Çengelët, litarët, zyrat e errëta me lagështirë, ku drita natyrale nuk hyn asnjëherë, sikundër nuk ka më asnjë individualitet, asnjë identitet, asnjë dallim, asnjë të drejtë, janë shprehja më brutale e asaj makinerie.
Por qëllimi fundor i makinerisë është jehona tmerruese që nga nëndheu shkon në kokën e gjithkujt që është mbi dhe.
Vende si ky, sidomos në qendër të kryeqytetit, janë par excellence vende që kthejnë shikimin, ta rrëmbejnë syrin dhe ta bëjnë eksperiencën e dëgjuar, apo të lexuar të horrorit të së shkuarës, një eksperiencë fizike që prek gjithë shqisat. E për këtë e bën leximin e historisë sa të thjeshtë, aq dhe të rëndë e kuptimplotë.
Janë vende këto si ky, ku paradoksalisht e kupton deri ku mund të shkojë përçudnimi i një shoqërie, e cila shkel mbi të drejtat themelore dhe ku përdhosja e çdo dinjiteti, xhelatin e kthen potencialisht në viktimë dhe viktimën e bën thjesht statistikë.
Të kujtohesh me mendje, nuk mjafton asnjëherë!
Të kujtohesh me zemër, është një akt intim, personal!
Ajo që është e domosdoshme për të qenë vërtetë dëshmitarë të vetëdijshëm në pësim dhe në rimëkëmbje është të mund të kujtohesh me sy.
Për t’u rikthyer sërish tek Primo Levi: “Cilido që e harron të kaluarën është i dënuar jo në ferrin e përtejmë, por në këtë jetë ta rijetojë atë”.
Prandaj, ky bunker, të dashur miq, është praktikisht hyrja në të parin memorial deri më sot, i konceptuar dhe i ngritur mbi themele kushtuar kujtimit me mendje, me zemër, por dhe me sy të viktimave të terrorit komunist.
Kushdo që ka folur në hava deri më sot, gratis, siç brumoset zakonisht shpifja, se ky është një bunker për të risjellë në formë shprehje nostalgjie dhunën e të kaluarës përmes të qëndruarit të tij në sheshin sipër, ka detyrimin moral të vijë ta vizitojë dhe ta qepë gojën përballë kujtimit të viktimave, të cilat, për herë të parë në historinë e këtyre 25 vjetëve, kanë një hapësirë që t’u flasin njerëzve drejtpërdrejtë, jo përmes të tretëve, jo përmes librave, jo përmes kujtimeve, jo përmes fjalimeve, jo përmes debateve, por fizikisht, sy më sy.
Kupola sipër është në fakt, së jashtmi, shëmbëlltyra e bunkerit tip të diktaturës. Por së brendshmi, një diafragmë që merr frymë përmes leximit të emrave dhe fytyrave të viktimave të terrorit komunist.
E tërë makineria totalitare që ka përndjekur dhe torturuar kujtesën e atyre që mbetën gjallë, përmes këtij Muzeu i propozohet kujtesës së gjithsecilit. Përtej atyre që janë ende gjallë, pasi kaluan përmes kësaj nëntoke, është një Muze për ata që lindën ditën kur u shemb bunkeri i diktaturës dhe që e kanë të pamundur të krijojnë një ide të qartë dhe të tyren për çka ishte kjo nëntokë, duke dëgjuar historitë e të tjerëve.
Ky Muze është vullneti për të shlyer një borxh të kujtesës, një borxh të pashlyer, përkundrazi, të rënduar në këto 25 vjet, kur kujtesa u përdor jo e pandarë, siç thoshte Gjenerali De Gaulle, por me dallime preferenciale, si tokë e djegur dhe e shkretë, ku gjithsecili mund të mbillte atë që donte për të arritur qëllime pa asnjë lidhje me respektin ndaj kujtesës.
Në këtë Muze dëshmohet sesi përgatiteshin me gjakftohtësinë më të madhe dosjet hetimore të sigurimit, dosje prej të cilave kanë ende një frikë, një makth, një pafuqi vërtet të trishtueshme, disa që i tremben edhe bunkerit lart, i tremben edhe Muzeut poshtë, njësoj si korbat i tremben një dordoleci.
Në këtë Muze mund të shihet sesi mijëra të pushkatuar nëpërmjet gjyqesh të montuara kanë rigjetur falë një pune të imët kërkimore, një identitet, kanë rigjetur fytyrën dhe emrin e tyre, edhe pse shumë prej tyre nuk dihet ende ku i kanë eshtrat.
Nuk është rastësi që ky Muze që quhet Bunk’Art 2, vjen si vijim, si zgjatje e atij të parit, Bunk’Art 1.
Nuk fillon, në fakt, rrëfimi i nëndheut këtu me makinerinë totalitare, por fillon me historinë e makinerisë së represionit shtetëror, në kuptimin e shtetit si instrument represiv, që pastaj vjen dhe degradon në një makineri represioni ideologjik.
Xhandarmëria kombëtare, që i ka dhënë shtetit shqiptar të porsalindur në atë kohë, shërbime të faktuara, shpaloset në këtë Muze, për herë të parë, si një faqe e respektueshme e historisë së shtetit tonë dhe bën parathënien e asaj që vjen më pas, historisë së gjatë të diktaturës, e cila dëshmohet në këto dhoma, njëra pas tjetrës, sesi mund ta çojë në humnerë një shoqëri, mendimi i unifikuar me dhunën e shërbimeve sekrete të policisë politike dhe të një shteti të vënë i gjithi në dispozicion të një utopie.
Efektet teknike të admirueshme, që vijnë për herë të parë në Shqipëri përmes këtij Muzeu, falë “augmented reality”, që i jep mundësi çdokujt që ka një smartphone t’i animojë objektet që ka përpara, duke i bërë ata edhe më të perceptueshëm drejtpërdrejt për syrin dhe për shqisat e vizituesit, ndihmojnë për ta kapur ingranazhin e makinës totalitare në 360 gradë dhe për të çmontuar përmes shqisave atë përbërje, atë substancë, atë helm të asaj makinerie që sot e gjithë ditën shfaqet në ushqimin tonë të përditshëm mediatik në formën e shpifjes.
E të mos e harrojmë se nata e thikave të gjata në Gjermani nisi prej një shpifjeje antisemite dhe u bë preambula e një historie që çoi me qindra e mijëra hebrenj drejt kampeve të vdekjes.
Prandaj le të themi që bunkeri mbi dhé shfaqet në një kontekst tërësisht tjetër dhe i transformuar thelbësisht në përmbajtjen e tij, pavarësisht se forma është ajo që ishte dikur.
Nëse dikur, ajo formë ishte aty për të zmbrapsur këdo që mund t’i afrohej, sot, e njëjta formë është aty lart për të afruar këdo që dëshiron të dijë me sytë e vet dhe të lexojë me mendjen e vet, drejtpërdrejtë, të shkuarën.
E nisa me Gjeneralin De Gaulle dhe do ta mbyll me të. Kur ishte President i Republikës së Francës, në vitin 1966, Gjenerali i madh vizitoi kampin e përqendrimit në Auschwitz. E dini çfarë shkruaji në fund të vizitës, në librin e shënimeve? - “Çfarë neverie, çfarë pezmatimi, e megjithatë, çfarë spektakli shprese dhe rilindjeje.”
Uroj që neveria dhe pezmatimi që përshkon shpirtin e kujtdo që hyn në këtë nëndhe, të përfundojë në dalje si shije e një spektakli shprese dhe rilindjeje.
Shumë faleminderit!
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në inaugurimin e Bunk’Art 2
Redaksia Online
Shqiptarja.com