​Nuk ndoqa rrymën, sfidova
veten, zgjodha ta stilojë atë

​Nuk ndoqa rrymën, sfidova<br />veten, zgjodha ta stilojë atë
Të gjithë kemi ëndrra dhe objektiva për të cilat duhet të luftojmë për t’i realizuar. Por nëse secili prej nesh dëshiron me gjithë zemër që ëndrra të plotësohet atëherë edhe rruga drejt saj duket më e lehtë, ndonëse kthesat e papritura e ndërpresin disi vrullin e startit. Por në jetën e përditshme shpesh dëgjojmë se edhe fati është  i përcaktuar madje në shumicën e rasteve duket se jetët tona janë të shkruara diku dhe duam apo s’duam ato marrin rrjedhën që duhet të marrin.Por e rëndësishme është që dëshirat që kemi t’i dëshirojmë me mendje dhe me shpirt.

Sikurse në shumë libra thuhet se nëse dicka e dëshiron me gjithë zemër atëherë i gjithë universi punon që ti ta realizosh atë, ndonëse të duhet të luftosh sepse ndryshe nuk di t’ia kuptosh edhe vlerën.Mes këtyre dëshirave të gjithë biem dakort se një rol të rëndësishëm luan profesioni që zgjedhim, pasi tek ai varet e ardhmja dhe mënyra sesi ndërtohet jeta jonë. Secili prej nesh në një moment të caktuar të jetës është vënë përpara pyetjeve si: Çfarë di të bëjë më mirë?  Cili është profesioni që më përshtatet?  A di ta bëjë?Sa është i vlerësuar në treg ky profesion, a do të më sjellë të ardhura? Cila do të jetë perspektiva e tij në të ardhmen?

Sigurisht pasi mbaron shkollën e mesme një rol të rëndësishëm në marrjen e këtij vendimi luan edhe familja, e cila në më të shumtën e rasteve udhëhiqet nga turma dhe ideja se cili profesion siguron më shumë të ardhura. Sigurisht ata nuk kanë aspak faj sepse mendojnë për më të mirën e fëmijës së tyre i cili ndoshta ka të tjera dëshira, dhe i duhet të bëjë një luftë dyfishe për të treguar se profesioni që ai dëshiron do t’i sigurojë të ardhura por edhe do ta kënaq nga ana morale.Të gjithë e dimë se vitet e fundit studimet e larta janë shndërruar në një trend, madj me shaka mes nesh themi se nuk ngeli askush pa universitet. Një trend i tillë sigurisht do t’i tregojë më vonë kur tregu të ketë nevojë për profesionistë dhe jo akademikë (nëse janë të tillë).

Mes dilemave të tilla  ka qënë edhe personazhi i radhës në rubrikën “Drejt Punës”.  24- vjeçarja nga Lushnja Kimete Leka na rrëfen ëndrrën  e saj për të qënë stiliste, rrugën që ndoqi duke hequr dorë nga studimet, pasi dëshira e saj për këtë profesion ishte shumë herë më e madhe sesa ‘moda’ që ndoqën bashkëmoshatarët e saj duke iu drejtuat auditoreve të universiteteve.

Duke u rikthyer në fillimet e pasionit të saj Kimetja tregon se nuk e di se cili profesion tjetër do t’i përshtatej pasi gjithmonë e ka parë veten të tillë, një stiliste, që bën skica, vesh dhe zhvesh klientë. Sigurisht 24 vjeçarja është edhe më këmbë në tokë. Sot ajo punon si rrobaqepëse në një atelie private në Tiranë, por kurrë nuk i ndal skicimet. Nuk i ndal modelet për mikeshat e saj duke punuar privatisht edhe gjatë orëve të natës mbi makinën e vogël qepëse. Dëshira për të krijuar , dëshira  për të kënaqur miket dhe sigurisht për të fituar sado pak është më e fortë se lodhja.

“Të gjithë stilistët kështu ja kanë nisur kanë qënë rrobaqepës në fillim, jam brenda profesionit që dua, ndoshta një ditë edhe unë…” shprehet Kimetja me plot optimizëm.
 
Por si nisi dëshira për këtë profesion?
Si të gjithë kur jemi të vegjël themi dua të bëhem mësuese,doktoreshë apo avokate, pavarsisht se gjërat ndryshojnë. Por për mua jo, unë e shkrova fatin dhe profesionin tim doja të isha stiliste. Shumë vajza e kanë parë si hobi duke veshur kukullat apo njëra-tjetrën. Ndërsa unë, jo për mua ishte më shumë se kaq. Që kur isha e vogël dukej se jeta ime ishte e lidhur me makinën qepëse. Kujtoj se në shtëpi kemi patur një makinë qepëse, pasi dhe mami ishte rrobaqepëse. Të dyja motrat e mia punonin nga pak, ndërsa sa ulesha unë ajo prishej. Gjithmonë e kujtoj duke qeshur, por mendoj se mes nesh unë dhe makina kuptoheshim. Ajo e dinte që shumë shpejt unë do të isha pjesë e saj e ndoshta donte të pushonte pak. Ndërsa motrat thonë, ti si stiliste mos jep shumë urdhëra se dhe makina të merr inat.
Duke iu rikthyer pyetjes, do të mendoni se inspirimi për këtë profesion erdhi nga mami. Por jo, përkundrazi, duke e ditur lodhjen mami donte një tjetër drejtim për vajzat e saj. Por mesa duket trashëgimia duhet cuar më tej. Inspirimi ndoshta nuk lindi nga mami, por me siguri ka ndikuar ka qënë i fshehur brenda meje që donte thjesht një ngacmim. Dhe ndonëse duket e vështirë unë jam krenare për veten timë.
Një nga personat që më ka ndihmuar të kuptoj dëshirën për të skicuar ishte shoqja e motrës e cila ishte më e madhe se unë. Dhe gjithcka ndodhi rastësisht, motra shihte shoqen që gjatë të gjithë kohës skiconte. Dhe menjëherë i erdh në mendje unë që bëja skica kudo, vizatoja kukulla me veshje në cdo fletë, ndonëse më thonin këto janë zhgarravina. Ajo i mori skicat e shoqes dhe sa herë bënte të tilla m’i tregonte, pasi ajo ishte shumë e zonja, ndërsa përpiqesha, por nuk ndalesha edhe pse për të tjerët ishin zhgarravina. Skicat e saj më ndihmuan të përmirësohesha dhe në atë kohë isha në 8-vjeçare. Që në atë kohë nisa të shfaqja dëshirën se doja të isha stiliste dhe vetëm të skicoja.
 
Kur mbarove shkollën e mesme, a mendove të njëjtën gjë?
Unë isha e bindur për atë që doja, por sigurisht u ndikova edhe nga fjalët e prindërve të cilët donin që unë të ndiqja studimet e larta. Dhe unë që t’u plotësoja dëshirën por duke mos lënë mbrapa edhe ëndrrën time, pashë me kujdes degët që ofroheshin. Në universitetin politeknik të Tiranës ishte dega, Inxhinieri Tekstile dhe Modë,ndonëse kjo degë ishte shumë e përgjithshme dhe nuk e di nëse do bëhesha ajo që doja por zemra ime rrihte  vetëm kur lexoja  fjalën stilim apo modë. Mes 10 degëve që duhet të zgjidhnim unë zgjodha edhe Industrinë tekstile, por fatkeqësisht nuk më doli. Administrim Biznes ishte dega e përcaktuar për mua. Por unë nuk e doja. Dhe babi më vuri përpara zgjedhjes të qëndroja në shtëpi apo të vijoja atë që u përcaktua jo ajo që desha.
 
Çfarë ndodhi më tej, ti sot nuk ke një diplomë të tillë?
Jo sepse unë nuk shkova, në fillim ishte shumë e vështirë sepse të gjithë moshatarët e mi shkuan  në universitet. Më dukej vetja një e humbur dhe e paaftë, por nuk ishte ajo që doja. Nuk e kuptoja pse të gjithë donin të shkonin në universitet, kur ka kaq shumë profesione të tjera, me të cilat mund të jesh i suksesshëm në cdo hap e në cdo drejtim. U mërzita sepse do të qëndroja një vit në shtëpi, për të parë sërish vitin tjetër. Dhe unë humba një vit, dhe vazhdoja të skicoja pa humbur shpresën.
Fatmirësisht dhe sërish rastësia deshi që motra të merret një fletëpalosje nga një shkollë mode private shumë e famshme këtu në Tiranë. Ajo vjen në shtëpi, i tregon babit. Ai sërish shumë skeptic për profesionin por edhe për paratë. Ja pa fati është i përcaktuar sepse ai deshi që motrës t’i vinte në dorë ajo fletëpalosje ku ishte shkruar e ardhmja dhe profesioni im. Pas shumë diskutimesh vendosëm që unë të ndiqja shkollën profesionale të stilimit.
 
A u ndieve e lumtur, fati ishte me ty?
Sigurisht isha e lumtur ndonëse ishte një fushë që aq shumë e doja por njëkohësisht e panjohur. Në atë kohë u zhvendosa në Tiranë ku fatmirësisht kisha motrën.
 
Si shkoi më tej, ishe në hapat e para të profesionit që doje?
Po e vërtetë , por kur shkova në atë shkollë ishte krejt ndryshe nga sa e kasha imagjinuar. Ditët e para nga njëri vesh më hynin nga tjetri më dilnin. Kuptohet cdo gjë ishte profesionale ndërsa unë isha mësuar me gjëra amatoreske,por dëshira për të mësuar ishte e madhe dhe shumë shpejt u mësova, dhe retorika e stilimit,mjetet specifike u bënë pjesë të miat.
Me thënë të drejtën aty mësova shumë gjëra, por mbi të gjitha zbrita me këmbë në tokë. Sepse mendoja se profesioni im ishte vetëm skicimi,por pjesë e tij ishte rrobaqepësia cka nuk e kisha rrahur shumë vetëm në shtëpi. Ja pra edhe lidhja ime me makinën qepëse të mamit, rastisi apo jo, fati është i përcaktuar.
Për shkak të situatës ekonomike m’u desh të ndërprisja sërish edhe këtë rrugëtim për ta rinisur. Aspak e lehtë për të ndjekur një ëndërr,por asgjë në këtë jetë nuk është e lehtë dhe duhet të luftosh cdo ditë. Por ndihem mirë me veten sepse zgjodha profesionin që doja,një profesion që gjithmonë tregu do të ketë nevojë.
 
Po sot me çfarë merret Kimetja, a është brenda profesionit?
Eh, siç thashë më sipër jam me këmbë në tokë, skicat nuk janë të vetmet pjesë e punës sime. Unë aktualisht punoj në Atelinë dhe Pastrimin kimik KIKI. Edhe unë rastësisht një mika ime kishte nevojë për dikë në atelie dhe fati ishte me mua. Puna im ka të bëjë me rregullime të ndryshme veshjesh, qepje, dhe stilime të vogla.  Aty herë pas here vijnë edhe personalitet të televizionit dhe unë se di pse mendoj, ndoshta edhe unë një ditë do njihem.
 
A je penduar për zgjedhjen e bërë?
Ndonjëherë si të gjithë bëhem pesimiste, por kurresei nuk ndihem e zhgënjyer me zgjedhjen time. Ndonëse sot jam më shumë rrobaqepëse sesa stiliste fundja të gjithë stilistët kështu ia kanë nisur. Dhe unë jam në hapat e mi të parë jam brenda profesionit dhe po jetoj me mundin dhe djersën time pa i rënduar familjes, e cila ndonëse me shumë pikëpyetje dhe me pikë në zemër pati besim në zgjedhjen time.
 
E ardhmja, ku e sheh veten pas 10 vitesh?
Me besim në zot uroj që edhe unë një ditë të kem atelienë time, të skicoj dhe aty të qepen rroba të bukura dhe të përshtatshme për të gjithë. Klientët të ndihen mirë me shërbimin tim dhe unë të ndihem e kënaqur dhe krenare për punën e bërë. Nesër dua t’i them vetes sa mirë që besove në ëndrrën tënde, unë kam lindur për këtë profesion, ndonëse rryma u mundua të cojë në rrjedhën e saj.
d.i./Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Skema e mashtrimit në Tiranë/ 53 mln lekë dëm shtetit duke shmangur detyrimet tatimore, 1 në burg, 3 detyrim paraqitje! Të përfshirë edhe zyrtarë të administratës

Skema e mashtrimit në Tiranë/ 53 mln lekë dëm shtetit duke shmangur detyrimet tatimore, 1 në burg, 3 detyrim paraqitje! Të përfshirë edhe zyrtarë të administratës