​PD ndahet në katër klane
ish-ministrat braktisin Patozin

​PD ndahet në katër klane<br />ish-ministrat braktisin Patozin
Disfata dramatike në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, më e thella në historinë e përballjeve elektorale, përvijoi me shpejtësi disa grupe në Partinë Demokratike, të cilët janë përfshirë në një betejë të paprecedentë për kontrollin e partisë.

Gjatë ditëve të para pas humbjes, u kristalizuan dy linja kryesore, linja e Lulzim Bashës, e cila mbështetet në prapaskenë nga Sali Berisha dhe nga kandidatët fitues në zgjedhjet parlamentare, si dhe linja e kundërshtarëve të Lulzim Bashës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryetarit dhe anulimin e zgjedhjeve. Kundër Lulzim Bashës u rreshtuan dhjetëra personalitete të Partisë Demokratike si dhe qindra anëtarë të saj.

Ndërkaq, me nisjen e procesit zgjedhor, dy grupet kryesore janë ndarë në katër grupe, të cilët vijojnë luftën për pushtet dhe dominancë në partinë më të madhe në opozitë. Konkretisht, kundërshtarët e Lulzim Bashës janë ndarë në tre linja: Linja kryesore udhëhiqet nga Astrit Patozi dhe ka nisur një tur nëpër Shqipëri, për të rrëzuar zgjedhjet e 22 korrikut. Pjesë e grupit të Patozit janë Besnik Mustafaj, Jozefina Topalli etj.

Linja tjetër përbëhet nga asnjanësit, të cilët në fillim firmosën një peticion për dorëheqjen e Lulzim Bashës, por më pas ndryshuan qëndrim në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, duke abstenuar sa i takon propozimit për rrëzimin e procesit zgjedhor në Partinë Demokratike. Përfaqësues të kësaj linje janë Enno Bozdo, Kreshnik Çollaku etj., të cilët kanë qenë mbështetës dhe të besuar të Bashës, por pasi ky i fundit i la jashtë listës, patën një rebelim momental.

Këta të fundit duket se po presin se në cilën anë do të anojë fitorja, për t’u pozicionuar. Po ashtu, ditët e fundit, po nga grupi i madh i kundërshtarëve të Lulzim Bashës, është përvijuar një tjetër linjë, e cila përbëhet kryesisht nga ish-ministra të Sali Berishës. Konkretisht, ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode, Arben Imami, Majlinda Bregu etj., ndonëse kundërshtarë të deklaruar të Lulzim Bashës, nuk i janë bashkuar grupit që udhëhiqet nga Astrit Patozi. Ish-ministrat e Partisë Demokratike vijojnë sulmet e herëpashershme në adresë të Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij, por pa u organizuar në një lëvizje të mirëfilltë politike, për të mundësuar realizimin e objektivave të tyre.

Ata nuk kanë marrë pjesë në asnjërin nga takimet e zhvilluara nga Astrit Patozi në Durrës apo Vlorë.

Roli i Berishës
Ish-kryeministri Sali Berisha po përpiqet të krijojë perceptimin sikur është mbi të gjitha grupet që luftojnë, sa publikisht, aq edhe në prapaskenë, për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Por, roli i Sali Berishës ishte përcaktues në vendimin e Lulzim Bashës për t’u rikonfirmuar në krye të PD, pavarësisht humbjes në zgjedhjet parlamentare.

Në qëndrimin e tij të vetëm, Sali Berisha ka mbështetur vendimin që zgjedhjet në Partinë Demokratike të mbahen në 22 Korrik. Megjithatë, në funksion të perceptimit të mësipërm, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Lulzim Bashës. Madje, Malltezi u përplas me mbështetësit e Bashës në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike.

Por, duke e parë si pikën më të fortë të Lulzim Bashës, kundërshtarët e këtij të fundit, i kanë dhënë një mesazh Sali Berishës. Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli i kanë bërë thirrje Sali Berishës që të reagojë për situatën e krijuar, duke i kujtuar se heshtja e bën atë fajtor.

Lëvizja e koordinuar
Sali Berisha dhe Lulzim Basha po përpiqen të ndërtojnë gradualisht në sytë e demokratëve një alibi për humbjen.

Ndonëse sapo është ndëshkuar me votë nga shqiptarët, Berisha, disa ditë më parë paralajmëroi protesta kundër qeverisë ‘Rama’, me argumentin se 2.7 milionë shqiptarët nuk morën pjesë në votime, duke mos u pajtuar me Ramën. “Miq, në demokraci vota është votë, ajo shpreh pëlqimin ose mospëlqimin për një kandidat apo forcë politike të dhenë.

Kështu që sot, duke marrë hua shprehjen e tij, mund t’i themi se je qeveria e mbi 2.7 milionë shuplakave sepse për këtë mazhorancë të pakicës së pakicës, votuan kundër ose bojkotuan me zemërim procesin e votimit 2.7 milionë votues apo 4 në çdo 5 votues shqiptarë. Zemërimi i tyre e pret së shpejti!”, ka pohuar Berisha. Në të njëjtën kohë Basha ka paralajmëruar se nuk do të njohë zgjedhjet, qeverinë dhe parlamentin e tij, me pretendimin se votat janë blerë para se opozita të niste fushatën.

Gjithashtu, ditën e premte, Lulzim Basha përjashtoi mundësinë e çdolloj bashkëpunimi politik me kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar kësisoj prishjen e marrëveshjes së 18 Majit.
 
Pasojat e humbjes  
Disfata dramatike në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, më e thella në historinë e përballjeve elektorale, përvijoi me shpejtësi disa grupe në Partinë Demokratike, të cilët janë përfshirë në një betejë të paprecedentë për kontrollin e partisë.
 
Ish-ministrat
Ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode, Arben Imami, Majlinda Bregu etj., ndonëse kundërshtarë të deklaruar të Lulzim Bashës, nuk i janë bashkuar grupit që udhëhiqet nga Astrit Patozi.
 
 
Murrizi ofendon Julian Dedën: Me ato që rri ti nuk fshij as b....
 
Pas ironizimit që Julian Deda i bëri takimit të krerëve të PD-së, të disa qyteteve, ka reaguar deputeti i PD-së, Myslim Murrizi, i cili nuk e mban fjalorin dhe i thotë Dedës se, e ngatërron me ata miqtë tij që i ndërrojnë gratë si brekë konviktoresh. Gjithashtu Murrizi, i shkruan Julian Dedës se, “më ato që rri ti unë nuk fshij as b*thën”. “Julian përshëndetje.

Më ngatërron me ata miqtë e tu që ndërrojnë gratë si brekë konviktoresh. Sa vite i kam unë tek PD nuk i ka estrada e Tiranës dhe Portokallia së bashku. Më ato që rri ti, unë nuk fshije b…… . Më ke ngatërruar me plehrat. Pyet ” eprorët” e tu kush jam unë. Po ke qejf te hapim letrat bashke , bujrëm. . Ti ke një problem që ke ndenjur me servila. Unë e kam pas babën traktorist jo spiun të Sigurimit të Shtetit. Kur të duash ty dhe çdo spiun trendi e ftoj në debat publik në cilëndo media që ju lejojnë. Pyet pak Filipin kush jam. Ke ngatërruar adresë”, shkruan Murrizi. Pas gjithë këtij ofendimi, Julian Deda është përgjigjur vetëm me një fjalë, “Hallall”.
 
Julian Deda ironizon mbledhjen e krerëve të degëve të PD
 
Julian Deda, një nga mbështetësit e Lulzim Bashës, por pas shpalljes së listave dhe humbjes së zgjedhjeve, kritik i fortë i tij, ka ironizuar mbledhjen e kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike, të cilët pozuan së bashku si kundërpërgjigje ndaj kundërshtarëve të Lulzim Bashës. Dede shkroi në rrjetin social Facebook se krerët e degëve të PD po festonin humbjen më të thellë në historinë e Partisë Demokratike. “Po festojnë humbjen më të thellë në historinë e PD. He more jua lumsha, hajde gëzuar”, shkruan Deda.

Koordinatori i PD, disa ditë më parë, ka akuzuar rrethin e Bashës për një urdhër, i cili parashikonte denigrimin e çdo anëtari të Partisë Demokratike, i cili nuk mbështeste linjën e kryetarit. “Urdhër i komandës së Republikës së Re: Të denigrohet çdo anëtar partie, që nuk mendon si shefi. Te kritikohet pa kompromis çdo plemet politik i para viteve 2013 në PD, kohë në të cilën drejtonte Sali Berisha. Pra, të vazhdojmë shembullin e vëllezërve rilindas, ku për çdo gjë thuhej se “fajin e ka Saliu”, ka shkruar Deda. 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit