Qendra e trajtimit të autikëve në Gjirokastër çdo ditë e më shumë po has në vështirësi për të ofruar kushtet optimale për këtë shtresë fëmijësh.

Është e vetmja qendër në të gjithë zonën e jugut, ndërkohë që kapaciteti pritës është vetëm për 40 fëmijë, por aktualisht trajtohen rreth 48 të tillë.

Hapësirat e qendrës janë të pamjaftueshme, por edhe kushtet brenda saj nuk janë të rregullta, pasi për fëmijët me autizëm ambientet duhet të jenë të përshtatura.

Drejtuesja e qendrës, Lindita Luzo, ka kërkuar nga ministria e linjës që është ajo e Shëndetësisë dhe Punëve Sociale, zgjerimin e hapësirave të kësaj qendre, çka është mëse e domosdoshme në kushtet aktuale si dhe zgjerimin e stafit didaktik.

Qëllimi është kthimi i kësaj qendre, në një qendër rehabilituese për rastet e paraqitura ndaj kërkohet me domosdoshmëri rritja e kapaciteteve.

Duke parë se shumica e fëmijëve autikë vijnë nga zonat e largëta dhe shumë prej tyre e kanë të pamundur trajtimin rregullisht për shkak të kostos të transportit, zonja Luzo, ka apeluar tek njësitë vendore që të mbulojnë këto shpenzime, tek ato familje që në shumicën e rasteve janë të varfëria.

“Është një shërbim që ofrohet për çdo ditë. Terapi intensive  45 minuta për çdo fëmijë të cilët e kanë këtë domosdoshme në mënyrë që të integrohen në jetën e përditshme dhe nëpër shkolla.

Sigurisht që është një punë shumë  e vështirë, sidomos akomodimi i tyre kur ne e kemi kaluar kapacitetin maksimal të 40 fëmijëve, e nga ana tjetër kërkesat për fëmijë të tjerë për të marrë shërbime nga qendra jonë janë në rritje”
, tha Luzo.
 
Kjo qendër është çelur pesë vjet më parë si domosdoshmëri e rritjes së kërkesave dhe numrit në rritje të fëmijëve autik në rajonin e Gjirokastrës.

[gallery]24027[/gallery]