Basha parashtroi tre kushtet e demokratëve për reformën zgjedhore, që ishin votimi dhe numërimi elektronik, reduktimi i rolit të kryetarëve dhe partive, si dhe përfaqësim më të lartë të qytetarëve.
“Tre kushtet e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore janë: votimi dhe numërimi elektronik, ulje ose reduktim të kryetarëve dhe partive, si dhe t’i jepet më shumë pushtet qytetarëve, përfaqësim më i lartë i tyre. Ne jemi të vendosur të angazhojmë gjithë qytetarët, shoqërinë civile, botën akademike, për të dhënë kontributin e tyre, sikundër jemi të vendosur që kjo reformë as mos të ndalet dhe as mos të bëhet vetëm sa për sy e faqe. Jemi të hapur për çdo model që ofron, votim dhe numërim elektronik, uljen e dhe reduktimin e kryetarëve dhe partive, më shumë prioritet qytetarëve”, tha Basha.
Më tej, kreu i demokratëve foli për marrëveshjen e 18 majit me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se atë e “vrau” ky i fundit në zgjedhjet e 25 qershorit.
Sipas tij, këto zgjedhje ishin rezultat i parave të drogës.
“Kjo qeveri nuk do të ishte pa paratë e drogës, kështu marrëveshja e 18 majit u vra nga Rama përmes zgjedhjeve të 25 qershorit. Marrëveshja ishte për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shtoi më tej kreu i PD.
Balla i përgjigjet urgjent Bashës: Jo reformë me kushte
Partia Socialiste i është përgjigjur në kohë rekord kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për tre kushtet në lidhje me zbatimin e Reformës Zgjedhore.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se PD nuk mund të kërkojë reformë me tre kushte.
Sipas tij, kushti parësor i demokratëve duhet të ishte vota e emigrantëve.
“Partia Demokratike nuk mund të kërkojë reformë me tre kushte. Kushti parësor duhet të ishte vota e emigrantëve. Jemi pro komisionit për Reformën Zgjedhore”, tha Balla.
Lëvizja Socialiste për Integrim është bërë pjesë e debatit për Reformën Zgjedhore.
LSI i përgjigjet PS-PD: Reforma të jetë e vërtetë dhe e thellë
Nga selia e LSI, ku u zhvillua një mbledhje e grupit parlamentar, kryetari i grupit Petrit Vasili tha se është pro një reforme të vërtetë, të thellë dhe që t’iu japë zgjidhje plagëve të mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri.
Më tej, ai shtoi se zgjedhjet shiten e blihen në vend, ndërsa procesi i fundit zgjedhore, ai i 25 qershorit, sipas tij ishte i rrënuar.
“Vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore të vërtetë, të thellë dhe që iu jep përgjigje plagëve të mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri, që shiten e blihen, të rrënuara në procesin e fundit zgjedhor të 25 qershorit, ku fjalën e pati vjedhja e votës, trafikantët, krimi. Së dyti, pabarazia e votës, një tjetër plagë e madhe. Pabarazi ekstreme antikushtetuese, së cilës nuk i është dhënë asnjë përgjigje”, tha Vasili.
PD kërkesë Kuvendit: Të ngrihet komisioni ad hoc
Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të veçantë parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Kërkesa drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi është propozuar nga deputetët Endri Hasa, Valentina Duka, Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj, Durata Çupi, Fatbardha Kadiu, Flamur Noka, Romeo Gurakuqi, Jorida Tabaku si dhe është firmosur nga kreu i grupit parlamentar Edmond Spaho.
Në kërkesën e PD thuhet se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë funksionale.
Gjithashtu thuhet se për shkak të vullnetit të maxhorancës qeverisëse në mandatin e kaluar nuk u arrit të realizoheshin ndryshimet ligjore për të garantuar zgjedhja të lira dhe të ndershme.
(Kërkesa e PD për ngritjen e komisionit ad hoc për Reformën Zgjedhore)