Plazhi i Dhërmiut, një nga më të mëdhenjtë e plazhit Jonian, ku ndërthuret qetësia, bregdeti i pastër, por edhe gjelbërimi në disa pjesë të tij gjë që e bën të veçantë qëndrimin në këtë plazh.
 
Një prej karakteristikave të këtij fshati është mikpritja. Ne u drejtuam te xha Llambro i cili jeton në shtëpinë e vajzës së tij pasi banesa në fshatin lart në Dhërmi nuk mund të rikonstruktohej pasi janë shpallur monument kulture.
 
Në banesën e shtëpisë së vajzës, Kela ata kanë hapur një biznes familjar ku ofrojnë akomodimin e turistëve shqiptarë, por edhe të huaj.  Xha Llambro na hapi derën e shtëpisë duke na dhënë mikpritjen e tij, por edhe duke na përcjellë edhe shumë emocione.

Për mikrofonin e Report Tv, xha Llambro u shpreh:

“Kjo është një shtëpi private, e bërë për të pritur turistët. Duam që njerëzit që vijnë këtu ti mirëpresim, të kenë kënaqësi të vijnë, të jenë më të kulturuar në muhabet, në pastërtinë e dhomave, por edhe të argëtohen”.
 
Ajo çka të bie në sy sapo hy në banesën e vajzës së xha Llambro janë trëndafilat dhe lulet, për të cilat xha Llambro u shpreh:

“Lulet dhe trëndafilat janë të mira, i kemi marrë nga një farishte. Sapo kanë çelur dhe mundohemi që ti mbajmë mirë. Të gjithë turistët që kanë ardhur janë kënaqur edhe nga ambjenti i jashtëm. Ne kemi 10 dhoma që brenda kanë kondicioner, banjë të rregullta dhe gjithçka duhet për një dhomë. Veranda është bërë për pushuesit për të pirë një kafe ose kur duan të hanë një mëngjes. Turistët janë shumë të kënaqur, pasi dhomat janë të mobiluara mirë, pastërtia, sepse turisti kur vjen, vjen për plazhin, por dy orë që pushon, pushon për së mbari. Pë rsa i përket mikpritjes ne gjithmonë e kemi pasur virtyt tonin. Edhe para shumë vitesh ne nuk linim njeri përjashta, kalonte rrugës, natën, kohë e keqe i hapnim derën dhe e merrnim në shtëpi dhe i krijonim kushtet, ato kushte të kohës që ishin, ullinj, vaj, bukë edhe një raki. Ishin edhe plakat tona, nënat tona që nderonin shtëpinë me sjelljen e tyre, me mikpritjen. Ishin të gëzuara kur vinte një mik.
 
Ushqim traditë i yni si fillim është gatimi i peshkut. Gjithashtu kemi sallatën me ullinj e portokalle me vaj ulliri. Është frikasea (një lloj gjelle), makaronat. Po të flasim për më përpara kemi pasur miell misri dhe e bënim burmaç, me djathë brenda, me vaj ulliri dhe ajo na mbante. Ndërsa për pashkë, marrim një kec të pjekur, bëjmë paqe. Tani është futur helli dhe i pjekim në hell”, tha xha Llambo

 
Xha Llambro na tregoi edhe një radio që kishte mbërritur në Shqipëri në vitin 1955. Ai kujton që ishte shumë i vogël në kohën kur ka mbërritur radioja dhe i pëlqente shumë të dëgjonte sportin. Për të dëgjuar sportin ai rrëfen se e kishte lidhur radion me një transformator dhe nga ngarkesa radioja ka plasur.
 
“5 ditë s’kam vajtur në shtëpi nga frika e plakut”
, u shpreh xha Llambro.
 
Fshati i Dhërmiut shtrihet në një bregdet 5 km të gjatë. Emri vjen nga greqishtja që do të thotë humnerë dhe bazohet në vegjetacionin natyral të zonës. Surpriza të shumta zbulojmë nga xha Llambro i cili na njeh me historinë e fshatit, por jo vetëm kaq.
 
“Himara ka qenë e penës dhe e dufekut. Kam dëgjuar dikur një këngë të vitit 1913. Episodi i këngës së vjetër tregonte për një trim të bregdetit i cili dikur dashuronte një vajzë të cilën e quajnë Fotina Spirro. Ajo ishte shumë e bukur dhe ky trimi i bregdetit e dashuronte pa masë. Ajo nuk u martua dot me trimin dhe i ngjitën një këngë: ‘Gusht o vjeshtëz e ’13-të në Vunoç u bë hata, për një grua që s’u dha. Kola se ç’të thanë pleqtë, jepe Kola Spirrua. Le të vijë ta marrë vetë se një ditë ashtu tha. Ç’u ngrit nga se Labi i shkretë, mblodhi miqtë nga i kishtë. Që nga Gjërmë e Llogara...”, ishin disa nga vargjet që xha Llambro i kishte dëgjuar nga babai, gjyshi i tij.
 
Fshati i Dhërmiut kishte rreth 500 shtëpi, por tani ka më shumë, pasi janë shtuar.
 
“Tani në demokraci ne mësuam shumë gjëra, mësuam si të komunikojmë me njerëzit, mësuam se si të sillemi, morëm një kulturë tjetër. Bregdeti ka pasur gjithnjë një kulturë të pasur, pasi gjyshërit dhe baballarët tanë kanë punuar në Leon të Francës, në Amerikë dhe kanë sjellë një kulturë që na e kanë lënë trashëgimi edhe ne brezit tonë”, u shpreh Llambro.
 
 Për sa u përket martesave ai u shpreh se bënin krushqi edhe me Shkodrën, Vlorën, Himarën dhe nuk bënim dallim feje apo origjine.

“Të huaj vijnë shumë këtu, por fatkeqësisht në moshën tonë, sistemi na la pa ditur gjuhë.
Vetëm shqipen edhe shqipen. Në fillim bëmë rusisht, por na e ndërprenë. Kur vjen një i huaj këtu nuk komunikojmë dot, por shyqyr që kemi fëmijët që dinë gjuhë të huaj dhe na ndihmojnë këtu në hotelin dhe biznesin tonë. Unë nuk e ndërroj Dhërmiun as me Tiranën, as Vlorën dhe as me Francë. Unë kam punuar emigrant në Greqi, por gjithmonë i turpëruar. Unë punoja, por nuk e ndjeja veten të lirë, ndjehesha kokulur. Unë jam 72 vjeç dhe gëzoj një pension. Këtu në shtëpi krasis një lule, ndihmoj gruan, vete në dyqan. Dal me shokët, bëj një muhabet. Muaji gusht është i yni dhe bëj plazh më të mirë. Çupa me djalin 5 vjeç kanë mësuar not. Kush jeton në bregun e detit, s’ka njeri që të mos dijë not”
, u shpreh Llambro.
 
Pë rsa i përket çmimeve në hotelin e tij, Llambro tregon se një dhomë kushton rreth 4 mijë lek të reja nata.